Nga thumbimet në distancë me Gjicin te Vllaznia, rrëfimi i Gjokës: U ndodha gabimisht në luftën e disa të tjerëve

Nga Klaudio Ndreca

Ernest Gjoka është një nga trajnerët më të njohur shqiptar, teksa ka stërvitur shumë ekipe me peshë të Superiores. Aktualisht është duke drejtuar Shkëndijën e Tetovës, me besimin e madh që i është dhënë nga klubi, për të transformuar skuadrën që nuk ndodhej në një moment të mirë. Në sezonin e shkuar ekipi shqiptar i Maqedonisë së Veriut zhgënjeu tërësisht nga Kupat e Europës, duke u eliminuar menjëherë që në turin e parë të “Champions League”, për të marrë edhe një tjetër goditje në “Europa League”.

Gjoka është rrëfyer për “Fax Sport”, ku disa pjesë interesante i përkasin edhe punës në Superiore. Në shumë raste kemi parë thumbime në distancë të nisura nga ana presidentit Safet Gjici, por gjithsesi trajneri shqiptar zgjedh që të mos i vazhdojë më tej, duke ruajtur respektin më maksimal për të. Gjithashtu si pjesa më e errët e kujtimeve është ngjarja e bujshme që ndodhi kur drejtonte Vllazninë, atje ku Gjoka rrezikoi edhe jetën pas një konfrotimi fizik teksa ishte në fushën stërvitore.

“Unë kam respektin më maksimal për presidentin Gjici. Së bashku kemi shkruar historinë në futbollin shqiptar dhe që do të jetë e vështirë për t’u thyer, pasi nuk kemi marrë asnjë humbje për 35 javë. Kemi fituar kampionatin dhe dy Kupa atëherë. Këto ngacmimet dhe thumbimet janë pjesë e punës tonë, ndodhin dhe është mënyra sesi ecën bota e futbollit.

Vllaznia? Nuk dua të kujtojë atë që ka ndodhur, sepse ka qenë periudha më e errët në jetën time dhe në karrierë. U ndodha gabimisht në luftën e disa të tjerëve dhe që nuk ishte lufta ime, kam rrezikuar jetën aty. Nuk dua ta kujtoj më shumë, por ka qenë edhe pengu më i madh, pasi shkova për tjetër gjë dhe nuk bëra atë që mendova.

Ndërkohë sa i përket kampionatit shqiptar, Tiranën mund ta ndalte vetëm kjo pandemi. Ishte në super formë, shikoj një Kukësi që nuk është aty ku duhej të ishte, Partizanin që po zhgënjen, ndërsa ekipet si Teuta dhe Laçi janë në vendin ku kanë qenë gjithmonë, për të kërkuar Kupat e Europës”, u shpreh Gjoka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *