Futbolli ende nuk është rikthyer të luhet në fushnë e lojës, por skuadrat kanë nisur të kenë zhvillime jashtë saj. Edhe pse merkatoja nuk ka filluar zyrtarisht, Teuta zyrtarizon largimin e parë nga klubi. Bëhet fjalë për Idelino Gomes Colubali, i cili u afrua vetëm në muajin janar te skuadra durrsake. Por aventura e tij në Superiore nuk ka zgjatur aq sa duhet, teksa pas vetëm 2 muajsh me fanellën e Teutës do të largohet nga klubi shqiptar.
Lajmin e bën të ditur vetë ekipi bregdetar në faqen e vetë zyrtare në “Facebook“, ku falenderon sulmuesin për kontributin e dhënë për ta. Ndërkohë Colubali është aktivizuar në 8 takime deri në momentin e ndërprerjes së sezonit, ndërsa ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës vetëm 1 herë. Ishte parashikuar një kontratë 6 mujore që do të përfundonte në fund të qershorit, por pandemia bëri që eksperienca e futbollistit me Teutën të zgjaste vetëm 2 muaj, duke ndarë kështu përfundimisht rrugët me durrsakët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/