Kalendari sot shënon një datë të veçantë për Kosovën dhe gjithë futbollin shqiptar. Arsyeja është se 4 vite më parë dardanët janë pranuar me të drejta të plota në UEFA. Një vendim ky që gëzoi pa masë gjithë ambientin shqiptar dhe e bën sot Kosovën një realitet të ri e të bukur në futbollin europian. Arritjet që prej atij momenti kanë qenë të mëdha, ndërsa puna e jashtëzakonshme e legjendës Fadil Vokrri është pasuar me sukses edhe nga Agim Ademi.
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka gjetur rastin për të uruar me anë të një letre zyrtare homologun e tij në Kosovë. Kjo ditë historike nuk mund të mos kalonte në vëmendjen e presidentit të FSHF-së, që përgëzon arritjet e Federatës së Futbollit të Kosovës si dhe shpreh urimet më të përzemërta për ta. Gjithashtu shpreh me siguri të plotë vullnetin dhe dëshirën se marrëdhëniet mes dy federative do vazhdojnë të mbeten në nivelet më të larta dhe vëllazërore për të çuar sa më përpara futbollin shqiptar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
“I nderuar z. Ademi!
Me përvjetorin e katërt të pranimit të Kosovës në UEFA, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell në emrin tim dhe të të gjithë anëtarëve të familjes së futbollit në Shqipëri urimet më vëllazërore për këtë ditë historike për Kosovën
Ëndrra e shumë brezave në Kosovë tashmë është realitet i prekshëm. Kosova prej 4 vitesh është bërë pjesë e familjes europiane të futbollit si anëtare me të drejta të plota. Puna e madhe e bërë nga Presidenti Vokrri dhe ju sot kanë bërë që Kosova të ketë vendin e merituar në panoramën e futbollit europian. Kjo arritje na bën krenar dhe jemi optimist se do të keni një të ardhme të ndritur përpara, me fitore dhe suksese të cilat na kënaqin dhe gëzojnë pa masë.
Marrëdhëniet tona vëllazërore dhe institucionale janë dhe do të jenë në nivelet maksimale të bashkëpunimit. Sëbashku do të zhvillojmë projekte të rëndësishme për rritjen e futbollin shqiptar.
Përshëndetje të përzemërta,
Armand Duka
President i FSHF-së”