Juan Cuadrado është vënë në shënjestrën e tifozëve bardhezinj dhe kjo falë një komenti aspak të duhur në faqen e Juventusit. Klubi Italian kishte bërë një postim për të përkujtuar 25 vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-futbollistit të tyre, Andrea Fortunato, i cili humbi betejën me leukeminë në moshën 23-vjeçare. Por lojtari kolumbian nuk u tregua aspak i matur, duke gjetur momentin e gabuar për të bërë humor. “Adrien Rabiot, ti je ky?”, ka qenë komenti i lënë nga Cuadrado dhe është shoqëruar më pas nga shumë fytyra të qeshura.
Padyshim që tifozët e Juventusit nuk e kanë pritur mirë një reagim të tillë, duke e kritikuar lojtarin dhe duke i kërkuar që të fshijë komentin e bërë. Në këto kushte, futbollisti i “Zonjës së Vjetër” ka vendosur të fshijë fjalët e tij, ndërsa u ka kërkuar edhe falje tifozëve përmes rrjetit të tij social, ku shkruan: “Përfitoj t’i kërkoj falje të gjithë tifozëve të Juventusit për postimin ku komentova. Vërtet që kam parë vetëm foton, pa lexuar atë çfarë kishte ndodhur. Vetëm sa e pashë dhe mu duk sikur ishte Rabiot. Ndjesë”./Halit Delibashi-Sport Eskspres/
