“Po i mësoj djalit shqipen”/ Dy muaj pa prerë flokët, Cana: Larg qoftë të më qethë gruaja si Ronaldo

Lorik Cana ka vendosur që në javët e karantinës t’i dedikohet jo thjesht përkujdesjes për familjen por edhe të fusë kulturën shqiptare në të. E në këto ditë kur koha është e mjaftueshme Cana i është dedikuar një përgjegjësie patriotike për t’i mësuar djalit të flasë rrjedhshëm gjuhën shqipe. Po ashtu vet është përkushtuar historisë së gjuhës kombëtare duke lexuar libra që lidhen me alfabetin dhe historinë e shqiptarëve.

Në një intervistë për “Sports show” Cana ka treguar më tepër rreth projekeve të tij dhe dëshirës për të qenë pranë futbollit. Ndeshjet e Kombëtares që po transmetohen në Rtsh kanë nxitur kujtime te ish-kapiteni legjendar i cili përpiqet që të ruaj gjithmonë momente të bukura nga ajo kohë me fanellën kuqezi. Prej dy muajsh pa prerë flokët, Loriku refuzon që të marr shembullin e Cristiano Ronaldos për ta qethur bashkëshortja e tij.

“Zakonisht e kemi ndarë kohën me nusen kështu, ajo fle më herët me djalin, e unë kujdesem për vajzë që është vetëm 3 muajshe dhe nuk ka shumë gjumë natën. Kohën time e kam pas orës 22:00, që merrem me gjera personale, aktivitete që duhen mbyllur. Kam dy muaj që nuk qethem(qesh). Ronaldon e qethi gruaja?! Uu larg qoftë(qesh). Masat për mos t’u prekur nga koronavirusi i kam marrë por duhet të marrë masat për mos t’u shëndoshur megjithëse po mundohem. Jam treguar pozitiv gjatë kësaj kohe sepse e kam djalin pranë dhe ai si çdo fëmijë është i ndjeshëm nga situata e vetë-izolimit. I kemi thyer nja 3-4 llampa me top në shtëpi por nuk na ka bërtit mami(qesh). Do e shtyjë të merret me sport por jo si Agimi me mua, dua ta lë ta zgjedhi vetë çfarë duhet të bëjë, por me sport do të merret.

Duke parë ndeshjet e “Rtsh” që ritransmeton ndeshjet e Kombëtares që prej viteve 2000’, normale më janë rikthyer kujtimet. Por më shumë po merrem me të ardhmen e duke u dedikuar talenteve të rinj. Jam duke lexuar libra si “Alfabet Shqiptar” në breza, si ka qenë gjuha jonë dhe si është trashëguar dhe një shkrim për historinë e përgjithëshme të shqiptarëve, “The Albanians”, i lexoj pas orës 22:00. Djalit i kam folur gjithmonë shqip dhe ka pasur mundësinë të jetë në çerdhe ku flitej shqip dhe anglisht, pastaj duke qenë nëna italiane e ka më të lehtë të flas italisht. Për një vit kam përshtypjen se do të marri besimin e duhur për të mësuar më shumë shqipen. Më përgjigjet shqip vetëm shkurt me “Po, jo, nuk dua” dhe këtë kohë po mundohem t’i mësojë sa më shumë shqip.

Kujtimet e ndeshjes Serbi-Shqipëri? Nuk i kam kujtuar por m’i kujtuar shumë të tjerët. Është një histori me të mirat e të këqijat e veta që nuk i ndryshojë asnjë presje. Nga koronavirus kam humbur shumë miq dhe po mundohem të ruhem. Nëna ime vuan dhe nga disa sëmundje dhe frika ekziston për çdo familjarë dhe çdo të afërm. President i ndonjë klubi? Kam dëshirë të rri në futboll. Në Zvicër kam familjarë dhe dua të vendosem atje dhe do të mundohem të marrë projekte. Kam ndërmarrë një nismë “Një kafe për si Flutur” dhe e ftojë të gjithë mërgatën që të kontribuojnë sa mundet për ata persona që kanë nevojë./ Klaudio Ndreca – Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *