Klubi i Lushnjes është në luftë të fortë këtë seozn për tu rikthyer në Superiore, aty ku e pasur edhe vendin vite më parë. Kohët e fundit skuadra nuk është atje ku duhet, duke qenë larg asaj periudhe të viteve 90’. E nëse ka një gjë të cilën duhej pasur zili, atëherë ajo është tifozeria lushnjare. Këta të fundit kanë qenë gjithnjë dashamirës me skuadrën e tyre të zemrës, duek mos e braktisur kurrë e duke e stërmbushur stadiumin në çdo ndeshje.
Në këtë mënyrë tifozët e Lushnjes e kanë treguar hapur edhe pasionin e tyre të zjarrtë për futbollin, që është një dashuri më vete për ta. I parë si një mënyrë jetese, sporti më i bukur në botë i bënte gjithnjë bashkë në shkallët e stadiumit për të përkrahur pa hezitim ekipin e tyre. E kjo shihet qartë edhe në një video të shpërndarë nga vetë klubi lagunar në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”. Hektor Premçi asokohe do të merrte rolin e heroit teksa priste një 11-metërsh, në kohën kur në Lushnje bëhej “kërdia” me tifozët. Në atë “Roza Haxhiu” të tejmbushur dhe të ngjeshur me tifozë nuk kishte vend… as për një kokërr molle e aq më tepër për të pranishëm të tjerë. Një atmosferë që tregon se si futbolli duhet të jetohet dhe që i nevojitet stadiumeve shqiptare edhe sot./Halit Delibashi-Sport Ekspres/