Lazio e ka gjetur njeriun e duhur për portën e tyre prej disa kohësh dhe nuk kanë ndërmend ta lëshojnë nga duart e tyre. Strakosha është i padiskutueshëm në katërkëndëshin e bardhekaltërve, ku është një siguri për shokët e skuadrës, teksa jo pak e herë ka shpëtuar ekipin nga gola të sigurtë. Kohët e fundit nga 25-vjeçari ka hedhur sytë edhe Murinjo e Anceloti, që e duan në gjirin e tyre.
Kështu duke parë garën e lindur për shërbimet e gardianit shqiptar, Lazio ka vendosur që t’i ofrojë në tryezë një kontratë të re Strakoshës. Ky i fundit ka një marrëveshje me klubin Italian deri në vitin 2022, ndërsa paga që shkon në xhepat e portierit kuqezi nuk shkon më shumë se 1 milion euro në sezon. Ndërkohë Tare ka vendosur që ta blindojë futbollistin shqiptar deri në vitin 2025 dhe për ta bindur i ka siguruar një pagë prej 1.8 milionë eurosh.
Por në mes tashëm ka hyrë edhe babai i Thomas, njëkohësisht edhe legjenda e portës kuqezi, Foto Strakosha, që nuk duket i kënaqur me shifrën e ofruar. Kështu ish-gardiani i Kombëtares së Shqipërisë ngulmon që djali i tij të përfitojë 2 milionë euro plus bonuse në fund të sezonit, duke bërë kështu që 200 mijë euro të jenë ato të cilat mbajnë pezull firmën në kontratën e re./Sport Ekspres/