Sulmuesi i ri i Fiorentinës, Vlahovic, ishte një prej lojtarëve të Serisë A që u infektua nga Koronavirusi. Ndryshe nga të tjerët, ka pasur simptoma disi më të rënda, por fatmirësisht gjendja e tij është përmirësuar.
Në një rrëfim të fundit të treguar në “Instagram” gjatë një video live, sulmuesi tregon përjetimin e tij dhe momentet e para kur është shfaqur edhe ky virus. “Kam qenë duke fjetur në shtëpi dhe u zgjova nga ethet, por isha edhe i mbuluar në djersë. E mata temperaturën dhe ishte 37 gradë, kështu që piva disa ilaçe dhe njoftova mjekët e klubit. Pastaj ethet po përkeqësoheshin dhe në mbrëmje temperatura shkoi në 39 gradë. Prandaj shkova në spital.
Nuk mendoj se isha shumë keq, por tani jam mirë dhe jam duke pushuar. Shpresoj që gjithçka të përfundojë pas 14 ditëve, po rri larg njerëzve të tjerë dhe nuk kam parë asnjë nga shokët e ekipit”, tha Vlahoviç. /Sport Ekspres/