Caleb Ekuban po bind me paraqitjet e tij në radhët e Trabzonsporit në elitën e Turqisë. Janë 3 gola dhe po aq assist në 14 ndeshje që mbajnë emrin e tij, ndërsa numri mund të ishte më i lartë nëse ai dëmtim nuk do e linte jashtë fushave për 12 takime në kampionatin turk. Kjo ka bërë që ish-sulmuesi i Partizanit të përfundojë në lupën e klubeve të njohura të futbollit. Sipas asaj që raportojnë mediat turke Lazio e Igli Tares është në garë me Rangersin për të siguruar shërbimet e tij.
Gerrard duket se e dëshiron në ekip, ku do të ishte kështu një konkurent me shiptarin, Florian Kamberi, për një vend në formacion. Ky i fundit është huazuar te Rangers, por loja dhe cilësitë e shfaqura në fushë me shumë gjasa do të sjellin zhvendosjen përfundimtare të sulmuesit kuqezi në Glasgow. Morelo nuk po bën mirë në sulm dhe për këtë arsye Gerrard i ka hedhur sytë në tregun e lojtarëve për të gjetur zëvendësuesin e tij dhe për të mbajtur gjallë edhe konkurencën në repartin sulmues.
Ndërkohë edhe Lazio kërkon të përforcojë skuadrën me një sulmues dhe pas Giroud e Muriqit, tashmë në Turqi listojnë edhe emrin e Ekubanit si një alternativë për bardhekaltrit. Trabzonspor po fërkon duart nga ky intersim, teksa në verë mund të arkëtojë në xhepat e klubit një shifër të majme prej 10 milionë eurosh./Sport Ekspres/