“Tirana duhet të mos i fitojë të gjitha”, kur trajneri i Kukësit e pagëzonte si Liverpooli

Tirana ka rrëmbyer fitoren e radhës duke mos hedhur asnjë hap të gabuar deri tani. Në këtë mënyrë bardheblutë ia bëjnë edhe më të vështirë Kukësit, që duhet të mbajë hapin e kryeqytetasve për të arritur objektivin titull. Presioni kalon kështu i gjithi te verilindorët, të cilët fitoren e kanë një detyrim dhe duhet ta dëshmojnë që nesër ndaj Skënderbeut se gara nuk është mbyllur ende.

Por 11 fitore në 12 ndeshje të luajtura nga Tirana që nga periudha kur në stol u ul Egbo vërtet që të frikësojnë. Këtë e di fare mirë edhe Orges Shehi, i cili edhe vetë do të shprehej më parë se nëse bardheblutë vazhdojnë të shfaqin një nivel të tillë, atëherë do të bëhen si Liverpooli, duke e bërë mbyllur çështjen titull.

“Tirana ka bërë 6 fitore rrjesht, nuk mbaj mend një ekip tjetër përveç Skënderbeut në kohët e veta. Është një skuadër që po luan mirë dhe shumë e thjesht. Shoh 4 mbrojtësa që qëndrojnë aty dhe Doka merr shumë inisiativ. Më pëlqen se janë një ekip që po i japin hapësira të rinjve që premtojnë. Sigurisht Tirana nuk duhet t’i marrë të gjitha fitore sepse po i mori do të bëhet si Liverpooli. Mendoj se është një nga skuadrat kryesore për të rivalizuar deri në fund”, do të shprehej Shehi pas ndeshjes që kryeqytetasit fituan kundër Teutës.

Ndërkohë në vetëm 10 javë larg fundit, Tirana duket se është kthyer në atë që Shehi frikësohej, Liverpoolin e Superiores, teksa ka mbajtur hapin e pandalshëm deri më sot. Tani është radha e Kukësit të tregojnë nëse mund ta mbajë presionin për t’i shkuar deri në fund apo kanë hyrë në një luftë me të pamundurën./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *