Intervistat/ “Në Shkodër kemi një shprehje”, Cungu komenton Tiranën: Të mos bëhesh ortek, se nuk dihet kur ndalesh

Tirana e ka kthyer në një zakon tashmë fitoren që nga periudha kur Egbo është ulur në stolin e bardhebluve. Ky i fundit është treguar i pamëshirshëm në Superiore këtë sezon, duke vazhduar serinë e fitoreve. Tre pikët e sotme erdhën falë atij goli të shënuar nga sulmuesi Ngo në minutën e 73-të të takimit.

Gabimi në dalje i Stazhillës i ka kushtuar shumë Laçit, që është bërë kështu preja e radhës e Tiranës. Loja e mirë e zhvilluar në pjesën e parë të ndeshjes nuk i ka hyrë në punë kurbinasve, pasi filozofia e Egbo ishte më e fortë. “Ruajmë rrjetën e paprekur dhe mundësitë do të vijnë në fund”, ky është futbolli që trajneri nigerian ka zbatuar te Tirana, e deri më tani po rezulton një sukses i vërtetë. Ndërkohë më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve të takimit për “Supersport”:

Egbo (Tirana): “Ne e dinim që do të ishte e vështirë sepse Laçi vinte për herë të parë në “Air Albania”. Ky stadium të jep më shumë mundësi për t’u shprehur dhe u thashë djemëve që ky stadium do të jetë kundër aty ose në favor të tyre. Ka edhe 10 ndeshje, ne nuk merremi me ekipet e tjera, por duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Ne jemi një familje te Tirana dhe këtu nuk ka asnjë presion te Tirana, jemi si vëllezër. Futa Ismajlgeci sepse ishte më mirë në gjendje, ndërsa Halili nuk është në gjendjen e tij më të mirë fizike. Kalendari i ngjeshur? Nuk ishte edhe aq e vështirë, pasi edhe Laçi ka luajtur njëherë në tre ditë, jo vetëm ne.”

Cungu (Laçi): “Po kanë ndikuar ato fitoret rresht të Tiranës në psikologjinë e tyre. Ne në Shkodër kemi një shprehje: “Të mos bëhesh ortek, pastaj nuk dihet se kur do ndalesh”. Tani Tirana nuk dihet se kur do të ndalet. Në pjesën e parë ne ishim më të qartë dhe ishte disi më tepër një çështje fati sot, pasi meritonim një pikë sot. Kemi humbur me profesionalizëm dhe jam shumë i lumtur me djemtë. Në përgjithësi më duket një ndeshje pozitive, por edhe fatin nuk e kishim me vete. Sigurisht që edhe ne duhej të tregoheshim më të qartë para portës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *