Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e para të javës së 26 të Superiores. Bylisi dështoi sërish të dilte me tre pikë nga fusha e lojës, teksa u ndal në një barazim 1-1 nga Luftëtari. Po në të njëjtat shifra ka përfunduar edhe takimi tjetër në “Niko Dovana”, ku Flamurtari ia ka dalë t’i rrëmbejë pikë Teutës.
Ndërkohë, pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë edhe intervistat e tyre për mikrofonin e “Supersport”, ku janë shprehur:
Nertian Novi (Luftëtari): “E kam thënë që kemi çuna të rinjë, të shkëlqyer dhe që kanë etje për futboll. Nuk kemi për t’i hapur rrugë asnjë ekipi që vjen si në Gjirokastër dhe jashtë. Këtë e treguam ndaj Bylisit. Jam i kënaqur me barazimin, por duhej ta kishim fituar pasi dolëm shumë herë para portës dhe nuk shënuam. Ne kemi zbritur nga Superiorja dhe po mendojmë që tani për Kategorinë e Parë. Ne na mungon vetëm njeriu gol”.
Dritan Resuli (Flamurtari): “I kemi lënë vend edhe lojtarëve të rinjë, çunat kanë zbatuar detyrat e tyre. Por kemi ditur që të menaxhojmë situatën pas golit që pësuam te barazimi. Sezoni i dytë pati prurje në ekip, afrimi i tre brazilianëve na ka bërë që të jemi më sulmues. Gjithmonë na ka penalizuar fakti që kemi bërë shumë alternime për formacionet. Ne kemi shpresa te ky grup i rinj lojtarësh që po rriten”.
Dovedan (Bylis): “Kemi probleme shumë, nuk kemi gjetur lojtarin që të shënojë. Kemi pasur tre raste për të gjetur golin e dytë, por kemi gabuar aty dhe pastaj na barazuan. Fillimi i fazës së dytë kur ne nuk morëm pikët që donim, për fajin tonë dhe arsyet që iu i dini të gjithë, ka bërë që të kalojmë në një ngërç psikologjik. Hidi ka kaluar një mini-krizë dhe kam dashur që ta ndihmojë duke e lënë pushim. Ndërsa Bicaj kishte probleme me gjurin dhe prandaj e pashë të arsyeshme që ta lë jashtë. Afrimet nuk janë në ato pritshmëritë që duhen pasi edhe ambientimi është i vështirë”.
Martini (Teuta): “Nuk kam fjalë, ky ishte gabimi i pafalshëm. Për ne kjo është si vetëvrasje ku fituam në Tiranë ndaj Partizanit dhe e hedhim poshtë gjithë mundin tonë duke gabuar ndaj Flamurtarit. Diferencat e futbollit shqiptar është i vogël. Ne e filluam lojën sikur e kishim të fituar. Nuk kemi se çfarë të zgjidhim me sulmuesit, duhet të punojmë me këta që kemi. Problemi është te mentaliteti dhe bëm vetëvrasje duke u futur në lojë me mendimin se e kishim të fituar. Ju e dini futbollin, nëse nuk futesh për të dhënë maksimumin atëherë dështon. Ky është problemi më i madh për sot, se e nënvlerësuam shumë kundërshtarin”.