Armando Sadiku duket se po e rigjen veten te Malaga, ndërsa këta të fundit e aktivizojnë gjithmonë si titullar. Asnjëherë nuk është parë si një zgjedhje e dytë në skuadrën ku luan edhe Keidi Bare teksa në ndeshjet e fundit po e marrin veten, duke kërkuar ngjitjen në elitën e Spanjës pas një kampionati të nisur keq.
Në një lidhje direkte për “Zona Gol”, Armando Sadiku ka komentuar shkurtimisht edhe kampionatin shqiptar, duke parë Tiranën si favorite për të fituar titullin kampion në Shqipëri. “Kilometrat dhe distanca janë problemi ynë në Ligën e Kombeve. Po kaloj një formë të mirë dhe pa dëmtime. Në fundin e sezonit do kthehem te Levante, por më duan këtu tifozët e Malagas. Megjithatë do të shohim për një zgjidhje deri në fund me Levanten sesi do të zgjidhet.
Gjithmonë në momentet e mia më të mira jam dëmtuar. Kampionatin e kemi nisur keq, por e kemi marrë veten dhe do të shkojmë në zonën e Play-Off për “La Liga” nëse vazhdojmë kështu. Keidi Bare më ndihmoi për ambientimin në klub dhe jetën private. Nuk e kuptoja mirë as gjuhën dhe më ndihmoi. Më ka ndihmuar shumë Keidi dhe familja e tij. I lumtur që kam një shqiptar në ekip. Kampionati shqiptar? Tirana i ka çmendur të gjithë aty në Shqipëri me ato 11 ndeshje pa humbje dhe besoj se del kampione”, ka thënë Sadiku. /Sport Ekspres/