Gjashtë pyetjet që duan përgjigje te Partizani, kur shkatërrohet “kështjella” me një lëvizje të gishtit

Partizani është në situatë të rëndë dhe kjo nuk do aspak një llogjikë të lartë për t’u kuptuar. Kampionët e Shqipërisë janë 12 pikë larg kryesimit, ndërsa dëshpërimi rritet edhe më tepër, duke parë skuadrën tjetër kryeqytetase në vendin e parë. Por si kanë mbërritur të kuqtë deri këtu?

Derbi i fundit kishte shumë kontestime dhe fatura e një humbje të thellë 5-1 iu la vetëm arbitrave. Kjo mund të shkonte si llogjikë nëse disfata e marrë do të vinte si një rrufe në qiell të hapur. Por nëse kthehemi pak që në kohën e ardhjes së Sormanit, pa shkuar më gjatë, do të shohim se nuk ka aspak një surprizë. Të kuqtë do të humbisnin ndaj Skënderbeut dhe Kukësit, në dy ndeshjet që duhej të provohej forca kur në krye të ekipit erdhi Sormani.

Ecuria negative nuk u mbyll këtu pasi do të vinte edhe një eliminim në Kupë nga Besëlidhja. Për të mbërritur te derbi i shumëpërfolur dhe te humbja e fundit ndaj Teutës. Por këtë herë nuk ka më vend për të arsyetuar, por për të vepruar, sa nuk është vonë.

Si përfundoi skuadra kampione këtu? E thjeshtë, me krenarinë e tepruar të drejtuesve për të treguar se mund t’ia dalin sërish që të ndërtojnë një kështjellë, ku si krahë pune për arritjen e madhe të bërë në vitin e shkuar, kishte të tjerë njerëz.

Sigurisht, më të aftë dhe të përgatitur. Tashmë me një lëvizje të gishtit shihet gjithçka e shkatërruar, kur skuadra e Partizanit mund të synonte hapat e Skënderbeut në Superiore, ndërsa shpallja kampion duket se nuk do të shkojë më shumë se një vit me këtë petk. Gjashtë pyetje janë ato që kërkojnë përgjigje tek të kuqtë, ndërsa gjithçka nis me Esat Malën. Lojtari më i mirë i skuadrës, që sakrifikonte dhe luante kudo, që luante në nivele të larta edhe te Shqipëria U-21, degdisej tek të rinjtë për ta bërë shembull. Ashtu siç do të thoshte edhe vetë Demi në fakt: “Partizani vlen më shumë se një lojtar, një lojtar nuk bën Partizanin”. E kur situata kishte përfunduar në pikën kritike, Esat Malës i kërkohet që të rikthehet edhe njëherë.

Por lojtari ka treguar gjithë profesionalizmin e tij duke ulur kokën për t’iu rifutur punës qetësisht, pavarësisht se për një periudhë kohe, dëgjoji jo pak fjalë me mungesë vlerësimi që vinin nga skuadra për të cilën po kontribuonte. Një sulm që vlen 0 gola, një mesfushë që nuk ka as fantazi dhe as muskuj, por mbështet vetëm te një ndezje e Bruno Telushit. Një mbrojtje që ka çaluar ndjeshëm dhe duke bërë gabime fëmijnore, e nga ana tjetër Alban Hoxha që nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm, pasi nuk gjen sigurinë tek shokët e tij që gjenden në prapavijë. Pra një formacion dhe skemë loje, që vetëm çalon. Ky është pasqyrimi real për ekipin kampion të Shqipërisë dhe i pamerituar për tifozët besnikë të kësaj skuadre, që nuk e kanë braktisur Partizanin, por që shohin sesi fantazitë e përgjegjësve të klubit, dalin si eksperimente të dështuara. /Sport  Ekspres/

  • Përse u la jashtë lojtari më i mirë, Esat Mala, duke u thënë se nuk mund të bënte Partizanin dhe pastaj u risoll kur skuadra ishte keq? (Vetëm humbje kohe)
  • Një humbje 5-1 në derbi me Tiranën dhe nuk e ka ende një shpjegim. Si u mbërrit që Partizani të dështonte në këto shifra? Një i verdhë i munguar nga arbitri për Bathën, nuk mund të shpjegojë asgjë.
  • Mbrojtja! Dikur ishte pika më e fortë e Partizanit, sot më e dobëta. Në ndeshje të ndryshme, ndodh “Déjà vu” në prapavijë, por duke ndryshuar vetëm emrin e lojtarit dhe gafën e bërë, autogol ose shkaktim penalltie. Çfarë ka ndodhur?
  • Brown erdhi dhe “iku” me golat e tij në Superkupën ndaj Kukësit. Joseph Ekuban erdhi dhe iku si vëllai i Kaleb Ekuban. Solomon nuk shihet askund, ndërsa drejtori Rama e arsyeton me shumë fatkeqësi familjare që i kanë ndodhur së fundmi. Po atëherë, kush do t’i shënojë golat te Partizani?
  • Nëse mesfusha dikur ka pasur muskuj dhe fantazi, tani i ka humbur të dyja. Të kuqtë e humbasin lehtë në këtë pikë, ndërsa presin vetëm që Telushi të jetë “me hënën e mirë”, të veshi fanellën e “supermanit” dhe të shpëtojë gjithçka. Kjo mund të ndodhi, por në pak ndjeshje të rralla. Çfarë do të bëhet për pjesën tjetër të kampionatit?
  • Si e menaxhoi ekipi krizën e Lerdës me Jasir Asanin? Klubi nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjet e trajnerit, por gjithçka e ka një masë. Kur te Partizani shpërthyen konfliktet e shumta të lojtarëve me Lerdën, ishte edhe radha e Asanit. A iu bë e qartë italianit se çfarë veprimi ishte duke ndërmarrë asokohe? A do të lejohen trajnerët e huaj që të shkatërrojnë sipas dëshirave të tyre vlerat e skuadrës?

(Jasir Asani nuk do ta linte Partizanin në momentin e tij më të mirë, teksa shpallej kampion me të kuqtë dhe mbyllej sezoni, por do të largohej papritur në janar. Një tjetër vlerë e larguar nga Partizani edhe për shkak të menaxhimit)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *