Intervistat/ “E pësojmë nga mbrojtja”, Sormani gjen fajin: Nuk shoh mënyrë tjetër, i dija pasojat nga derbi

Ka përfunduar edhe java e 25 e Superiores, ku ditën e sotme kanë zbritur në fushë të gjitha ekipet. Partizani nuk e ka kaluar dot atë humbje kundër Tiranës në derbi javën e shkuar, teksa është mposhtur nga Teuta në “Selman Stërmasi” me rezultatin 0-1. Skënderbeu ka fituar bindshëm 2-0 kundër Luftëtarit, ndërsa Tirana vijon rrugën e qetë në krye teksa ka fituar në 0-2 ndaj Flamurtarit.

Ndërkohë Shehi nuk ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa Kukësi i tij është ndalur në një barazim 0-0 me Vllazninë. Më poshtë keni edhe intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Egbo (Tirana): “Në fazën ky është kampionati hyn më shumë në punë 3 pikëshi sesa loja e bukur. E kam menduar se mund të shkonte kështu sot pasi vinim nga Partizani dhe Kukësi, nuk mund të prentendohej një lojë më e mirë. Lojtarët kanë lodhje dhe kanë qenë edhe me gjendje gripale. Kukësi? Nuk më intereson rezultati i kundërshtarit. I kam thënë Halilit para ndeshjes që duhej të tregonte veten duke parë mungesat. Nuk ka nevojë që ne të hyjmë në aventura, lojtarët e kanë të qartë se duhet të kërkojnë vetëm fitoren. Karabeci nuk mund të futej nga minuta e parë se e tillë ishte skema dhe duhej ta niste Sidibe dhe Batha. Unë mendoj për të mirën e ekipit”.

Martini (Teuta): “E kam thënë edhe më para ndeshjes që ky stadium më sjellë fat. Kemi lënë disa pikë më herët, por i vdekuri nuk ngjallet më themi ne në Shkodër. I kam thënë çunave që duroni për 10-15 minutat e para se e kam ndjekur Partizanin dhe e di presionin që bën në lojë, por më pas kur hidhen të gjithë para lënë shumë mangësi në prapavijë. Shpresojm që të vazhdojmë kështu”.

Orges Shehi (Kukësi): “Padiskutim që jemi të mërzitur për shkakun e rezultatit, ne e dinim shkallën e vështirësisë. Na u dha mundësia dhe kishim shansin që ta fitonim dhe rrezikuam deri diku pasi nuk i mbanim ekuilibrat. Kishim shumë mungesa, por nuk dua që të bëj qaramanin këtu dhe të them që kishim të tilla mangësi. Nëse të mungon zemra në mesfushë, atëherë është shumë e vështirë. Ne kurrë nuk duhet të dorëzohemi për diferencat ndaj Tiranës. Janë shumë, por ndoshta edhe pak. Do tentojmë deri në fund dhe nuk do të heqim kurrë dorë. Kam frikë se Shkurtaj do mungojë për shumë gjatë.”

Troisi (Flamurtari): “Është e pafalashme që të humbasim shumë raste siç kemi bërë sot. Për mendimin tim kemi luajtur edhe më mirë sesa Tirana. Pra më ka pëlqyer mënyra e lojës, por duhej të tregoheshim më të saktë para portës. Detyrim të fitojmë? Jo, informohuni për punën tonë, për mungesat dhe mundësitë që kemi”.

Sormani (Partizani): “Po ndodh e njëjta gjë, e nisim mirë, krijojmë dhe pastaj e gabojmë nga disa momente të këqija në mbrojtje që ne e pësojmë. Nuk mund të themi që Teuta krijojë aq shumë sa për të na vënë në vështirësi, por kemi dalë pa rezultat. Fjala është: “punë, punë, punë”. Nuk shoh ndonjë mënyrë tjetër për të arritur objektivat tona. I dija pasojat që mund të kishim nga derbi, por kurrsesi nuk duhej të humbnim. Nuk mund të thuhet që skuadra nuk punon, por është e pafalashme që ne e pësojmë në tillë mënyrë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *