Kukësi është befasuar nga Teuta në takimin e sotëm të luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit ndërsa ndeshja u mbyll në shifrat 2-2. Pa harruar mirë humbjen me Tiranën javën e shkuar, verilindorët marrin “shuplakën” e radhës nga Teuta. Këta të fundit e kthyen në dramë ndeshjen e sotme me një gol në minutën e fundit nga këmbët e Kallakut që vendosi baraspeshën dhe heshti kampin e Kukësit. Të gjithë lojtarët janë ulur në gjunjë, pasi nuk i besonin syve për atë që ndodhi.
Vendasit kaluan të parët në avantazh falë një penalltie të ekzekutuar në mënyrën më të mirë nga Kallaku. Por kur pritej mbyllja e pjesës së parë, një tjetër 11-metërsh është dhënë për Kukësin dhe Shkurtaj nuk do të gabonte, për t’i dërguar në dhomat e zhveshjesh në shifrat 1-1. E për kaluar për herë të parë në avantazh verilindorët në këtë përballje ka menduar sërish Shkurtaj, por këtë herë përgëzimet shkuan për Abazajn. Teksa futet bukur në driblim në krahun e majtë, ia bën fare të lehtë shokut të skuadrës që të dërgoj topin në rrjetë. Për të mbërritur në minutën e fundit, ku ajo goditje nga distanca e Kallakut, nuk u ndal dot nga portieri kundërshtar. Në këtë mënyrë, Tirana shkon në 4 pikë larg Kukësit në krye. Ndërkohë më poshtë mund të ndiqni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Martini (Teuta): “Sigurisht që individualitetet që ka Kukësi e zgjidhin ndeshjen, por ne meritonim shumë më shumë, për të fituar ndeshjen. Penalltia e Kukësit? Po Limaj ka menduar se është në Durrës dhe është hedhur në det, sepse nuk e shoh si penallti. Gjithsesi gabimet janë njerëzore. Ju gjithmonë thoni se nuk shënojmë, por kemi bërë dy golat sot. Ekipi që përballon më tepër trysninë do të arrijë objektivat e tij. Luajmë në të dy fronte në kampionat dhe Kupë, por nëse luajmë kështu si ndaj Kukësit, atëherë objektivat janë të arritshme. Ne kemi lënë dy pikë sot, më vjen keq”.