E gjithë vëmendja në ditën e djeshme ishte padyshim te përballja mes Tiranës dhe Partizanit. Një derbi që pritej me interes të lartë, ndërsa nuk i ka zhgënjyer pritshmëritë. Rekord sa i përket numrit të tifozëve, gola, spektakël, emocione, banderola dhe gjithçka tjetër.
Më shumë sesa 19.500 bileta janë shitur në “Air Albania” dhe ky takim do të futet në historinë e futbollit shqiptar, si ndeshja më e ndjekur. Por tifozët kanë pasur disa probleme me policinë në hyrje dhe një pjesë e konsiderueshme kanë hyrë 20 minuta pas fillimit të takimit.
Sapo sportdashësit hynë në stadium, gjëja e parë që mendohej ishin banderolat kur lojtarët të hynin në fushë. Tirana kishte menduar që të shpaloste “një shekull” dhe me këtë mesazh ka mbuluar një sektor të tërë. Kundërpërgjigja e Partizanit erdhi menjëherë me tymueset, duke i vendosur “flakën” stadiumit dhe duke krijuar një atmosferë tjetër. Kjo bëri që ndeshja të fillonte me vonesë dhe te goli në minutën e dytë, pamjet nuk ishin të qarta sesi topi përfundoi në rrjetë, pasi tymi nuk kishte ikur akoma.
Instiktet e mesfushorit, janë një hap përpara atyre të portierëve. Të paktën kjo ndodhi mes Idi Bathës dhe Alban Hoxhës. Dy penallti në tre minuta kanë vendosur përballë njëri-tjetrit dy lojtarë që njihen prej shumë vitesh dhe kanë luajtur së bashku. Por nga 11-metërshi, Batha ka nxjerrë dy herë jashtë loje Hoxhën duke e hedhur në krahë të kundërt, për të menduar më herët veprimin që do të bënte portieri i Partizanit.
Sormanin nuk e mban vendi, si kurrë më parë. Nëse më herët kishte thënë se nuk kishte ardhur për të folur për arbitrat, këtë herë ka diskutime për gjithçka. Shpeshherë nuk kupton dhe kërkon shpjegime për një karton të verdhë të munguar apo faulle që sipas tij duhej t’u jepeshin të kuqëve. Nga ana tjetër dukej se Egbo e dinte gjithçka sesi do të ndodhte. Trajneri i Tiranës të çudiste me qetësinë e tij pas shënimit të pesë golave. Në asnjë prej tyre nuk ka reaguar për të festuar si gjithë të tjerët, por ka pasur një gjakftohtësi të admirueshme. Ndërkohë që ishte po i njëjti person që teksa Tirana përmbysi Kukësin, u ul në gjunjë dhe shpërtheu në bisedën e tij me Zotin, duke i drejtuar gishtat lartë.
Këtë herë, dukej se gjithçka po shkonte ashtu siç Egbon e dinte, ose më saktë e kishte menduar. Një talent i madh po lind nga Superiorja dhe do të fluturojë për të kapur Kombëtaren. Bëhet fjalë pikërisht për Ernest Muçin, që i tregon edhe njëherë vlerat e tij. Futet si zëvendësues dhe realizon dy gola, ndërsa i fundit ishte një perlë më vete që kërkon vetëm duartrokitje. Padyshim që këtu duhet të ketë më tepër vlerësime për këtë lojtar dhe shtrimin e rrugës për një kampionat edhe më elitar në Europë.
Loja më e dobët e Tiranës dhe fitore e tillë, një paradoks i ndodhur në “Air Albania”. Është vërtet e çuditshme por ndeshja e djeshme ka qenë më e dobëta e Tiranës që në kohën kur ka ardhur Egbo në krye të ekipit. Por pavarësisht kësaj, kanë fituar me rezultatin 5-1 ndaj Partizanit. Kjo ndikuar edhe nga dalja me karton të kuq e Bitrit në minutën e 16, ndërsa të kuqtë po rrezikonin pafundësisht edhe pse me një lojtar më pak. E megjithatë derbi gjithmonë fitohet dhe nuk shihet bukuria në lojë, ndërsa me këto shifra, padyshim që bardhebluve u ka shijuar edhe më tepër. /Sport Ekspres/