Më pak se një orë ka mbetur nga fillimi i derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Nisur nga ngjarjet e fundit, është vendosur që këtë herë të merren masa të forta për mbarëvajtjen e takimit. Asnjë person nuk do të lejohet të hyjë në stadiumin “Air Albania” pa qenë i pasjisur me një mjet identifikimi. Gjithashtu për personat nën moshën 16 vjeç vlen rregulli i shoqërimit nga prindërit.
Rregullat mbeten rregulla dhe forcat e policisë në hyrje të stadiumit janë të vendosur t’i zbatojnë ato me përpikmëri deri në fund. Kështu, të gjithë personat që nuk e kanë kaluar moshën 16 vjeç po nxirren jashtë nga “Air Albania”.
Ndërkohë nga ana tjetër ultrasit po refuzojnë të japin mjetin e tyre të identifikimit, kjo për të mos shkelur mbi parimet e tyre. “No face, no name” është parimi i tyre, të cilit dëshirojnë besnik deri në fund. Madje tifozët e Partizanit kanë arritur që të çajnë edhe rrethimin e policisë dhe e gjitha kjo për shkak të kartave të identitetit. Mbështetësit e të kuqve e bënë me dije se nuk do ta pranonin aspak një rregull të tillë dhe nuk janë zmbrapsur aspak as ditën e sotme.
Megjithatë çarja e rrethimit ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi forcat policore kanë marrë sërish kontrollin në duart e tyre./Sport Ekspres/