Koronavirusi ka pushtuar edhe Italinë dhe ka përhapur panik në mbarë botën. Shumë persona janë infektuar prej tij e madje janë shënuar edhe viktima. Ndeshjet e Serie A do të luhen me dyer të mbyllura, ndërsa në dyshim ishte edhe dueli i mesjavës mes Napolit dhe Barcelonës për Champions League.
Megjithatë takimi është laujtur në praninë e tifozëve, mes të cilëve ka ndodhur edhe një episod interesant. Një tifoz kinez, që kishte shkuar në “San Paolo” për të parë nga afër përballjen, u ngrit në këmbë dhe nisi të bërtiste për të tjerët: “Nuk kam koronavirus, rrini të qetë”.
Duke qenë se Kina ishte pikërish vendi ku lindi ky virus, shtuar këtu edhe panikun e përhapur te qytetarët, tifozi aziatik vendosi t’i hiqte hijet e dyshimit të gjithë personave të tjerë në shkallët e stadiumit dhe t’i qetësonte këta të fundit për prezencën e tij. Një gjest i tillë është mirëpritur nga të gjithë, duke dhuruar edhe duartrokitje për tifozin kinez./Sport Ekspres/