Olsi Rama ka sqaruar çështjen e Esat Malës, për largimin e tij nga Partizani dhe rikthimin tek të kuqtë. Në një prononcim për mediat, sipas asaj që raporton “Balkanëeb”, drejtori sportiv i të kuqëve nuk lë shumë nënkuptime.
Megjithëse në arsyen se përse u largua Mala në ekipin e dytë, ka vend edhe për disa zbukurime, duke thënë se kjo ishte politika e klubit dhe qëlloi rastësisht që në këtë rast “viktima” të ishte ky lojtar. Ndërsa arsyeja e rikthimit të tij, ka edhe një prapaskenë tjetër. Kontrata e Malës përfundon në verë dhe nëse futbollisti nuk dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje tjetër, atëherë Partizani përfiton 0 lekë nga një “thesar” që e ka pasur brenda skuadrën. Këtë gjë e ka thënë edhe vetë Rama, se klubi nuk do të pengojë lojtarët, por nga ana tjetër, ata duhet të sjellin të ardhura në arkat e klubit.
“Situata e Malës është një situatë e krijuar si pasojë e politikës së klubit për të investuar te lojtarët e rinj. Në mënyrë që të rritet sportivisht dhe ekonomikisht. Qëlloi që ishte Mala, por mund të ishte çdo lojtar tjetër. Për rinovimin e kontratës së Malës, kemi punuar edhe vjet dhe kemi bërë hapa para. Ne me Malën kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi arritur një akord, që ai do të jetë lojtari i Partizanit dhe do luajë për të në Shqipëri.
Do t’i krijojmë mundësinë që ai të luajë jashtë dhe në momentin që do të vijnë ofertat dhe do të jenë të mira do merren parasysh. Duke parë vlerat e tij si lojtar dhe si person, vendosëm që ta riintegronim në ekipin e parë që të shfaqë githçka dhe të kontribuojë për Partizanin. Bashkëpunimi nuk është vetëm për këtë sezon, por edhe për të ardhmen. Nëse atij i vjen një ofertë nga një kampionat prestigjoz do ia mundësojmë që ai të shkojë. Të njetën gjë do të bëjmë dhe me lojtarët e tjerë. Ashtu si me Trashin, Çinarin apo Bardhin.
Ata e dinë shumë mirë që nuk do të kenë pengesa. Duke ditur që presidenti Demi po bën një investim te kompleksi, është një investim që duhet të kthehet në një farë mënyre. Dhe mënyra më e mirë për t’u kthyer është nëpërmjet talenteve të reja, që do sjellin të ardhura në arkat e Partizanit. Me qëndrimin tonë, donim të tregonim këtë gjë. Duhet të kuptojmë që kur klubi investon, pretendon një të ardhme nga kjo. Jo të gjitha investimet dalin fitimprurëse. Klubi nuk ankohet dhe merr përsipër çdo gjë”, tha Rama. /Sport Ekspres/