Ardian Ismajli e ka kthyer në një histori të zakonshme suksesin në Kroaci me ekipin e Hajdukut të Splitit. Gjithmonë kur bëhet formacioni më i mirë i javës, në të gjendet edhe mbrojtësi i Kombëtares.
I padiskutueshëm jo vetëm për skuadrën, por edhe një nga më të mirët në rolin e tij në Kroaci. Kjo i shtyn mediat kroate që shpeshherë t’i kthehen edhe Shqipërisë, vendit që Ismajli përfaqëson. Së fundmi është media e njohur “Slobodnadalmacija” që e hap artikullin: “Po çfarë do të ishte Hajduku pa shqiptarët?”. Këta të fundit quhen si një shtyllë kurrizore për ekipin që ndodhet në vendin e dytë në Kroaci pas Dinamos së Zagrebit.
“Shpeshherë përmendet që Hajduku po merr lojtarë afrikanë, amerikanë dhe jo vetëm nga këtej. Lojtarët nga Austrialia, Japonia dhe Uzbekistani u sollën. Por çfarë është Hajduku pa shqiptarët? Qoftë ata nga Kosova dhe Shqipëria, që formojnë shtyllën kurrizore të fortë për këtë klub. Tani në Hajduk janë Adrian Ismajli dhe Francesko Tahiraj.
Në kampionatin e vitit 1992, Hajduku kishte një ekip shumë të fortë dhe shqiptarët i dhanë një ton të veçantë. Eduart Abazi nga Shqipëria dhe Ardian Kozniku nga Gjakova. Tani kemi Ismajlin, që është nga Prishtina dhe luan për Shqipërinë, por edhe Tahirajn, që ka nisur të bëj mirë”, mbyllet artikulli. Eduart Abazai është një emër i njohur i futbollit shqiptar dhe i formuar nga Dinamo, ndërsa asokohe luajti për shumë skuadra të njohura në Europë. /Sport Ekspres/