Gjykata e Apelit të Prishtinës ka rezervuar ditën e sotme një lajm aspak të mirë për kryetarn e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo pasi është lënë në fuqi vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe si pasojë Agim Ademi do të përballet me një dënim prej 9 muajsh burgim. Arsyeja është për akuzën e kërcënimit dhe të përfitimit të parave në mënyrë antiligjore.
Gjithçka i përket ngjarjes së vitit 2012, kur kreu aktual i FFK-së së bashku me Muharrem Ramën kanë kryer shkelur ligjin duke kërcënuar Dritan Kadollin dhe të përfitonin prej tij një shumë 30 mijë eurosh dhe një makinë të tipit “BMW X5”. Këto do të përdoreshin për kryetarin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, i cili do të lejonte ndërtimin në një sipërfaqe toke që ilësohej si “zonë e gjelbër”.
Ndërkohë, Agim Ademi duket i vendosur për ta fituar me çdo kusht çështje dhe të dalë i pastër nga kjo histori. Këtë e vërteton edhe fakti se ka punësuar një tjetër avokat për ta mbrojtur përpara drejtësisë. Sipas asaj që raporton “Periskopi”, Ademi ka ndërruar avokatin e tij dhe ka punësuar një tjetër përfaqësues ligjor për të vazhduar deri në fund këtë çështje. Gjithsesi një vendim me 9 muaj burg ka sjellë një gjendje kaosi në FFK, ku ende nuk dihet se çfarë rruge do të ndiqet për më tej./Sport Ekspres/