Tirana do të përballet ndaj Partizanit, ndërsa mallkimin e një derbi pa fituar prej një kohë të gjatë, e thyen në përballjen e fundit duke ia dalë në shifrat 1-2. Këtë herë do të zhvillohet një tjetër takim në “Air Albania”, ku bardheblutë duan ecurinë pozitive që i mban në vendin e parë.
Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Ardian Mema, ka treguar arsyen se përse të kuqtë po fitonin gjithmonë ndaj Tiranës, ose më saktësisht duke mos e njohur humbjen. Gjithashtu shpresohet se këtë herë do të jenë bardheblutë që do t’i kthejnë reston Partizanit në 5 vitet e ardhshme.
“E kam thënë dhe kur kam luajtur vetë futboll, ne në 10 vite ose më tepër ne kemi fituar ndaj Partizanit. Por ka qenë një organizim më i mirë i klubit tonë se i Partizanit. Ndoshta edhe në këto 5 vite ka ndodhur e njëjta situatë.
Ose një klub shpenzon më tepër të ardhura, jo se Tirana nuk ka shpenzuar, por ndoshta nuk ka qenë me zgjuarësi le të themi, që të ketë edhe një kampionat të mirë. Kjo sepse nuk luajmë vetëm me Partizanin, por edhe me ekipe të tjera dhe duhet ecuria e mirë.
Partizani ka pasur lojtarë më të mirë se Tirana në këto vite dhe prandaj kanë pasur sukses. Shpeshherë ndodh që në derbi, lojtarët janë të karikuar dhe japin maksimumin. Ndodh që ndonjë lojtar është edhe më i dobët në cilësi, por vendos derbin. Mallkimi u thye dhe mund të jetë që këto 5 vite të fitojë Tirana ndaj Partizanit”, tha Mema. /Sport Ekspres/