“Shtëpia e re” e futbollit në Tiranë, i jep padyshim një tjetër pamje Shqipërisë dhe lojës së luajtur. Shumë emocione ka pasur në ndeshjen mes Kukësit dhe Tiranës, ndërsa brohorimat e tifozëve kanë karikuar edhe më tepër lojtarët, për të prodhuar atë spektakël në fushë, që këtë herë përfundoi në mënyrë dramatike dhe në rezultatin 1-2.
Por kjo dozë e madhe emocionesh, vazhdon të shfryhet gabimisht mbi stolat e “Air Albania”. Një problem që vazhdon ky në stadiumin e ri, teksa gjithmonë pas një takimit të përfunduar bëhet bilanci: “Po sot, sa stola janë thyer?”.
Burime të “Sport Ekspres” nga FSHF na konfirmojnë se ekzistojnë pamjet filmike dhe fotografi të secilit nga personat që kanë dëmtuar mjedisin sportiv dhe kërcënojnë në të njëjtën kohë sigurinë e të tjerëve.
Nga bilanci i bërë këtë herë në “Air Albania”, rezultojnë saktësisht 152 ulëse të thyera tërësisht, nga të cilat janë 133 nga ana e Tiranës dhe 19 nga Kukësi. Sipas burimeve tona Policia e Tiranës ka shoqëruar dje disa nga personat dhunues, ndërsa një prej tyre ishte minoren.
Me kërkesë të FSHF janë shpallur në kërkim edhe disa tifozë të tjerë, për të cilët ekzistojnë prova filmike dhe foto. Madje do të vazhdohet edhe më tej, pasi FSHF do të kërkojë ligjërisht publikimin online të personave dhunues si dhe mund të publikojë fotot e videot e tyre në ekranin e “Air Albania”.
Pra do të zbatohen mënyra të ndryshme, vetëm që impianti modern dhe komod që ka marrë së fundmi edhe vlerësimin për stadiumi i vitit, të mos dëmtohet në këtë mënyrë. Në këtë pjesë edhe klubet duhet të bëjnë më mirë në disiplinimin e tifozëve, pasi ndërrimet e stolave të thyera pas çdo ndeshje, nuk mund të jetë kurrsesi një zgjidhje. /Sport Ekspres/