Nëse i bëjmë një fotografim të shpejtë asaj që ndodhi në “Air Albania” gjatë ndeshjes mes Kukësit dhe Tiranës, atëherë do të gjejmë shumë detaje të veçanta. Për ta nisur që nga pjesa e tifozerisë, e para që bie menjëherë në sy.
Fatmirësisht kjo arenë e re e ndërtuar në kryeqytet, ka shtuar ndjeshëm numrin e tifozëve që janë të pranishëm për të parë futbollin shqiptar. Më herët ka qenë një sfidë thuajse e pamundur që të gjendeshin 8000 sportdashësh për një ndeshje të Superiores, e cila nuk ishte në javët e fundit dhe mbi të gjitha, jo derbi Tirana-Partizani.
Gjinia femërore dhe familjarë ishin të pranishëm dhe mbizotërues në shkallët e “Air Albania”, megjithëse një shqetësim konstant për personat që duan të shohin takimin të ulur, janë të tjerët që e përjetojnë më tepër dhe ngrihen deri te xhamat dhe pjesa që rrethon tribunën, duke penguar pamjen.
Nëse Tirana fiton titullin në këtë Superiore, atëherë një zgjidhje duhet ta gjejë edhe me Kobinan. Emri i tij duhet të shënohet me gërma të arta, pastaj të zhduket për një periudhë kohe të caktuar dhe të vendoset përsëri.
Fundja, kjo do e tregonte më së miri atë që pasqyron ky lojtar. Kur të gjithë e mendojnë “të vdekur” në fushë dhe presin largimin e tij, vjen dhe kthehet si një hero. Jo në pak raste, por në tre të tilla gjatë epokës Egbo dhe në treja rastet, ka pasur vlerën e tre pikëve. Nga goli ndaj Partizanit që u fitua derbi, te ai ndaj Vllaznisë dhe për të mbërritur te magjia ndaj Kukësit.
Duke parë praninë e Egbos te Tirana, shumë njerëz shprehen se tani edhe Zoti është bardheblu. Por Egbo duhet të lutet shumë edhe për Gent Muçën, që karriera e tij të mos ketë asnjë pengesë dhe të mos preket më nga dëmtimet.
Nëse kjo ndodh, atëherë prapavija e bardhebluve është e siguruar. Në lartësinë e duhur dhe thuajse i pagabueshëm në duele ka qenë ky mbrojtës ndaj Kukësit. Në të vetmen ndeshje që mungoi, ajo ndaj Skënderbeut, skuadra do të barazonte dhe prishte ecurinë e shumë fitoreve radhazi.
Kur të tjerët e qeshin me ironi, Egbo qan me lot gëzimi dhe fut në xhep edhe një tjetër fitore. Në jo pak raste është ironizuar fakti se trajneri i Tiranës është një besimtar i devotshëm. Madje duke thënë se gjithçka e lidh me Zotin dhe nuk ka dorë në këtë sukses. Por 11 ndeshje dhe 10 fitore të arritura, pa provuar kurrë humbjen, janë përgjigja më e mirë që mund t’i jepet “kritikave”. Misioni i Egbos nuk është që t’i bëj të tjerët besimtar, por të fitojë Superioren. Gjithçka tjetër i përket vetëm trajnerit dhe është e pakuptimtë që të ketë diskutime për këtë pjesë. Por ajo që duhet nënvizuar dhe nuk duhet mohuar, është se Tirana po lidhen edhe pak më shumë me Zotin pasi shohin Egbon.
Ndërkohë trajneri Duro ka punë me “Zotin” Gjici. Nga krahu tjetër ka shumë shpjegime dhe llogari për të dhënë te presidenti i Kukësit. Hera e dytë që verilindorët e pësojnë në fund dhe nuk arrijnë që të mbajnë fitoren, por shohin me dëshpërim sesi u ikën nga duart. Këto ka jo pak të bëj trajneri, për mënyrën sesi orienton skuadrën dhe e përgatit ndeshjen, duke e ditur se në futboll luhet gjithmonë 90 minuta. Madje gabimi i dytë kur i pari nuk kishte shumë ditë që kishte ndodhur, ka shumë për të tërhequr vëmendjen.
Gjithashtu Duro ka një taktikë që është paksa “vetëvrasje” në konferencat pas ndeshjes për të arsyetuar gabimet. Sa herë që një kundërshtar arrin t’i marrë një pikë apo fitore, fjalët e tij përcjellin këtë ide të përgjithshme: “Atyre iu lumtë që nuk e mbyllëm ne ndeshjen”.
Pra asnjë meritë e dhënë për kundërshtarin, por e gjitha e mbajtur peshë mbi supe për gabimet e ekipit. E përsëritur kjo gjuhë edhe ndaj Tiranës, atje ku Duro u shpreh se në një moment bardheblutë po bënin vetëm tentativa të dëshpëruara.
Sigurisht që kur sheh gabimet e tua është gjithmonë më mirë, por e parë në rastin konkret dhe të përsëritura, këto fjalë janë më së shumti të thëna në gjaknxehtësi e sipër, pasi ankesa pati edhe në Gjirokastër dhe mos dakortësim për dominimin e kundërshtarit. Sepse në nivelin më të lartë mbërrihet kur arrin të ndash dhe vlerësosh meritat secilit ashtu siç edhe i takojnë.
Nëse Kukësi dështon edhe në ndeshjen e radhës dhe Duro do të reagonte me po të njëjtat fjalë të përsëritura: “E kemi fajin ne, nuk ishte meritë e tyre”, atëherë Safet Gjici ka pafundësisht arsye për të marrë vendimin e një largimi të mundshëm. Fundja, për çfarë të pritet më tepër kur vazhdojnë rastet me kundërshtarët pa merita që vazhdojnë të marrin pikë ndaj Kukësit? Kjo panoramë dhe ky fotografim sheh më mirë Tiranën, pasi ky është ligji i futbollit, ashtu si edhe i jetës, ku fituesi asnjëherë nuk mund të gjykohet, por mund të shijojë i qetë momentin. Sigurisht, derisa të ndërrojë krahun… /Sport Ekspres/