Barcelona e ka bërë blerjen e saj pas dëmtimit të Dembles, duke firmosur me danezin Braithwate. Ky transferim largoi edhe Rei Manajn nga lista e katalanasve ndaj Eibarit, ndërsa më herët ishte zgjedhja e vetme në majën e sulmit nga trajneri Setien.
Por debutimi në fushën e lojës nuk kishte ardhur ende për Manajn me fanellën e ekipit të parë, pasi derimë tani, janë improvizuar zgjedhje të ndryshme. Por edhe afrimi i ri që është marrë, lë vend për skepticizëm.
Kjo pasi futbollisti është marrë nga Leganesi dhe nuk ka pasur një karrierë shpërthyese dhe CV bindëse për t’u pritur si një hero që mund të zgjidhë problemet e mëdha të Barcelonës. Këtë ide ndan edhe legjenda e njohur e futbollit botëror, Rivaldo.
“Për të qenë i sinqertë, unë nuk e kuptoj se përse u nënshkrua me Braithwaite dhe për qindra arsye unë jam kundër. Fillimisht, ishte një blerje jashtë afatit të merkatos. Barcelona duhej t’ia jepte atë mundësi lojtarëve nga akademia e saj, përpara se të bënte blerje të tillë. Nuk shoh ndonjë arsye të fortë për të blerë një sulmues, që me të gjithë respektin, dyshoj se është njeriu i duhur për Barcelonën duke parë momentin në të cilin ndodhet”, ka thënë Rivaldo.
Nëse edhe presidenti Bartomeu me trajnerin Setien do të ndanin të njëjtin mendim si Rivaldo, atëherë i vetmi “9” tek ekipi i parë dhe akademia ishte Rei Manaj, me debutimin që nuk do të vononte për shumë gjatë. /Sport Ekspres/