Ernest Gjoka ka qenë në një lidhje direkte për “Pressing” për të dhënë mendimet e tij në lidhje me ndeshjen mes Kukësit dhe Tiranës. Trajneri që tashmë drejton Shkëndijën e Tetovës është shprehur qartësisht se diferenca në këtë përballje shumë të fortë mund të vijë edhe nga eksperienca e Duros duke e krahasuar me Egbon, për mënyrën sesi mund të lexojë ndeshjen.
I pyetur për faktin që nuk e ka drejtuar kurrë Tiranën pavarësisht se ka lindur në kryeqytet, Gjoka shprehet me batutë: “Ne në Tiranë kemi një shprehje, që buka e komshiut na pëlqen më shumë”.
“Do të jetë një ndeshje e fortë dhe me shumë emocione mes Kukësit dhe Tiranës. Gjici do vetëm fitoren? Po të gjithë e dimë se kush është, kërkon vetëm suksesin dhe fitoren. Por kjo e llogjikshme pasi investon, merr njerëz të aftë në stolin e tij dhe çdo pronar kërkon që të marrë më të mirën nga produkti i tij. Eksperienca e Duros mund të jetë një avantazh në këtë ndeshje, për dhënien e mesazheve dhe mënyrës sesi do ta lexojë lojën. Tirana si pikë më të fortë ka ndryshimin e pankinës, pra ardhjen e Egbos që ka ndryshuar ekipin. Tani kemi lojtarë që vrapojnë për 90 minuta dhe ka shumë uri për fitore. Nuk e kam drejtuar kurrë Tiranën? Po ne kemi një shprehje që buka e komshiut na pëlqen më tepër”, mbyll me batutë Gjoka. /Sport Ekspres/