Duket e pabesueshme, por është e vërtet. Sulmuesit e Shqipërisë janë duke përjetuar një moment fantastik në Europë. Pasi Rei Manaj po thirret vazhdimisht nga ekipi i parë i Barcelonës, një tjetër sukses i madh vjen nga Anglia.
Nuk është iluzion apo hamëndësim, por Frenk Lampard ka thirrur Armando Brojën. Një ftesë kjo tërësisht e merituar për sulmuesin shqiptar, që arriti të lërë gjurmë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Arsenalit U-23. Pavarësisht se lojtari është vetëm 19-vjeç, trajneri i Chelseat, Lampard, vazhdon të tregojë besimin e tij të madh te akademia, por njëkohësisht edhe i vendosur në presionin e mediave angleze.
Këto të fundit kishin nisur të shkruanin prej kohësh se Broja e meritonte një shans në ekipin e parë. Por më herët luante dhe ishte makineri golash vetëm te U-18, ndërsa sapo tregoi vlerat edhe te U-23, thirrja e Lampard nuk vonoi. Armando Broja është stërvitur dje me lojtarët e ekipit të parë, me yje si Willian dhe Giroud, të cilët po përgatitjen për ndeshjen me Totenhemin.
Një super sfidë kjo që do të luhet në ditën e shtunë dhe do të dhurojë shumë emocione. Shumë e vështirë duket që të gjendet një vend në listën zyrtare që do të publikohet për lojtarët e grumbulluar nga Chelsea duke parë edhe emrin e kundërshtarit, por asgjë nuk është e pamundur. Më e rëndësishmja është se Armando Broja është nën urdhërat e Frenk Lampardit dhe kjo ndodhi për herë të parë. /Sport Ekspres/