Chelsea U-23 ka fituar me rezultatin 1-2 ndaj Arsenalit U-23, në transfertën e mbrëmjes së djeshme. Armando Broja ishte protagonist kryesor, teksa realizoi golin e parë të ndeshjes, por njëkohësisht edhe duke krijuar rastin për gjetjen e rrjetës nga ana Gilmour.
Për t’u veçuar është fakti se Arsenali kishte dërguar te U-23 dy futbollistë nga ekipi i parë, Rob Holding 24-vjeç dhe Pablo Mari 26-vjeç, që u ble nga Flamengo në janar. Por pavarësisht kësaj, Armando Broja i gjente lehtë hapësirat dhe për nivelin e treguar në fushë dhe trajneri e ka mbajtur për 90 minuta në fushë. Nga krahu tjetër, trajneri i Arsenalit U-23, Steve Bould, ka përgëzuar sulmuesin shqiptar në fundin e ndeshjes:
“Ishte në të vërtetë një ndeshje shumë e mirë për kundërshtarin tonë. Unë mendoj se Armando Broja është vërtet një lojtar i mirë dhe Chelsea i kishte të tillë futbollistët në të gjitha repartet. Kjo është një provë e mirë që kanë bërë edhe Holding me Marin, që do të përdorin vlerat e tyre edhe në ekipin e parë”, ka thënë Bould. /Sport Ekspres/