Barcelona ia doli të fitonte mes vështirësive në “Camp Nou” ditën e sotme, ndërsa hapësira nuk pati në këtë ndeshje për sulmuesin shqiptar Rei Manaj. Getafe nuk ia bëri aspak të lehtë katalanasve në fushën e lojës dhe një gjë të tillë Setien e kishte parashikur që përpara fillimit të takimit. Këtë e ka bërë të ditur vetë trajneri i blaugranave, që në prononcimin për mediat pas ndeshjes ka folur dhe ka analizuar atë çfarë skuadrat paraqitën.
Setien tregon se Barça zotëron lojtar të niveleve të larta, si ylli argjentinas Messi, dhe se prej tyre pret që të shfaqen në momentet e vështira për të zgjidhur gjithçka. Ndërkohë, spanjolli është ndalur edhe te arbitrimi, ku sipas tij gjyqtari është treguar më dorështërnguar me kartona për kundërshtarët, edhe pse këta të fundit kanë bërë më shumë faulla se futbollistët e tij.
“Ajo çfarë ne parashikuam ishte se do të kishim një ndeshje shumë të komplikuar. Ishte një lojë shumë e vështirë, me alternativa. Kishim mundësinë ta zgjidhnim pastër që në pjesën e parë. Messi? Ne kemi lojtarë të nivelit të lartë, të cilët shfqen në takime të vështira si ky i sotmi. Kjo është edhe ajo që unë dua. Që ata të shfqen dhe të zgjidhin situatën. Sa i përket arbitrimit, ndeshjet luhen në fushë. Kundërshtarët kanë bërë 29 goditje dënimi dhe në fund ne dolëm me një karton më shumë se ata”, ka deklaruar Setien./Sport Ekspres/