Rei Manaj është thirrur nga skuadra e parë e Barcelonës, duke u përfshirë edhe në listën zyrtare të ekipit për ndeshjen që do të kenë ndaj Getafes. Deri tani sulmuesi shqiptar ishte përfshirë vetëm në stërvitje me skuadrën, por këtë herë ka një debutim në listë.
Padyshim që kjo është një arritje e madhe për sulmuesin e Shqipërisë, që më parë ishte pjesë e Albacetes. Gazetarët spanjollë kanë qenë disi të befasuar nga zgjedhja e Setien dhe e kanë pyetur trajnerin e Barcelonës në lidhje me këtë zgjedhje. Përgjigja e marrë ishte se Manaj mund të kontribuojë me fanellën e katalanasve, duke lënë të kuptohet që mund ta shohim edhe në fushën e lojës.
“Rei Manaj merr një kohë të shkurtër dhe duhet të përshtatet, por gatishmëria e tij është shumë e mirë dhe nëse e mbajmë atë, vjen për arsyen sepse ne besojmë se na nevojitet, mund të kontribuojë me vlerat e tij. Ne jemi duke punuar shumë me akademinë dhe do të kenë më shumë mundësi kur ekipi i parë të relaksohet”, ka thënë Setien. /Sport Ekspres/