Në ndeshjen mes Rangersit dhe Hibernianit, ka munguar sulmuesi shqiptar, Florian Kamberi. Për shumëkënd është cilësuar si një sakrificë e trajnerit Gerrard për ta mbajtur larg polemikave të fundit, pasi Hiberniani është skuadra që e zotëron ende lojtarin shqiptar. Fjalët e tij me entuziazëm kur iu bashkua Rangersit, nuk janë pritur aspak mirë në klubin mëmë, me tifozët dhe opinionistët që i dolën kundër.
Por “Sport Ekspres” konfirmoi se Kamberi mungoi ndaj Hibernian, pasi ishte vendosur në marrëveshje që ky lojtar të mos luante në ndeshjen direkte ndaj Rangersit. Ashtu siç edhe ndodhi faktikisht. E teksa publikon dhe merr shkas nga ky rast, babai i futbollistit shqiptar, Guri Hanës, hedh edhe një opinion të tij.
Bëhet fjalë për Burim Hanën, ndërsa i biri ka nisur një aventurë të re në Gjermani, ndërsa mbron edhe fanellën e Shqipërisë tek grupmoshat. “Ja pra sa e thjeshtë. E shkruan në kontratë që nuk luaj kundër ish-ekipit dhe kryhet kjo punë. Jo si te ne, unë të fus golin, por ama nuk po gëzohem. E njëjta vlen edhe për lojtarët në Kombëtare. Nëse të bie rasti që të luash kundër Kombëtares së vendlindjes së prindërve, më mirë mos luaj fare dhe pikë”, shkruan Burim Hana. /Sport Ekspres/