Gareth Bale është pjesë e Realit të Madridit, por vetëm me kontratë. Qartësisht futbollisti uellsian nuk e ndjen fanellën që mban veshur në trup, ndërsa këtë herë vjen me një tjetër skandal. Në ndeshjen e zhvilluar ndaj Sociedadit ku u eliminuan me rezultatin 3-4 në Kupën e Mbretit, ky lojtar nuk ka qenë i grumbulluar.
Por në bazë të rregullave të klubit, duhet të qendrojë në stadium. Megjithatë Gareth Bale e ka bërë këtë gjë deri në minutën e 82, më pas mori makinën dhe u largua nga “Santiago Bernabeu”. Në atë moment shifrat ishin në rezultatin 1-4, me uellsianin që humbi kështu dy golat e shënuara nga Reali i Madridit. Qartësisht ky është një tjetër sinjal për largimin që Bale dëshiron nga ekipi, por që ende nuk ka ndodhur. /Sport Ekspres/