Komiteti HatTrick i UEFA-s ka përzgjedhur Tiranën për të mbajtur takimin e tij të rradhës. Komiteti më i madh i investimeve të UEFA-s, që pak muaj më pare ka festuar 15 vjetorin, me një bilanc investimesh prej 1.8 miliardë eurosh dhe parashikon të arrijë në 2.4 miliardë euro deri në 2024. Ky takim, ku Presidenti Duka mban postin e Nën Kryetarit të HatTrick, do të zhvillohet në selinë e re të Federatës së Futbollit, më 1 tetor 2020. Ka qenë propozimi i Kryetarit të Komitetit HatTrick, Karl-Erik Nilsson, për t’a organizuar këtë takim të rëndësishëm në Tiranë, propozim që ka gjetur mbështetjen e plotë të Presidentit Duka.
I dashur z. Duka,
Uroj që kjo letër t’ju gjejë mirë.
Paraprakisht më lejoni të shpreh në emër të Komitetit HatTrick të UEFA-s dhe timen personale mirënjohjen për dakordësinë nga ana juaj për të mikëpritur takimin e ardhshëm të Komitetit, Tetorin e këtij viti në Tiranë, në selinë tuaj të re, Shtëpinë e Futbollit.
Takime të këtij niveli ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të prezantuar sfidat dhe arritjet e Federatave tona përmes mbështetjes së këtij programi të rëndësishëm të UEFA-s në fushën e investimeve dhe incentivimit.
Me shumë dëshirë pres të takohemi në Tiranë, të vizitoj selinë tuaj të re dhe të njihem nga afër me zhvillimet e futbollit shqiptar.
Sinqerisht Juaji,
UEFA
Karl-Erik Nilsson
Kryetar i Komitetit HatTrick