Kush mendon se është plakur? Cristiano Ronaldo një makineri golash, kalon edhe Gerd Muller-in

Juventusi ia ka dalë që të marrë tre pikët e radhës në Serie A, teksa ka mposhtur Fiorentinën me shifrat 3-0 ditën e sotme. Por më i gëzuari prej kësaj fitoreje duket të jetë Cristiano Ronaldo, i cili nuk resht së thyeri rekorde, edhe pse në moshë 35 vjeçare.

Ylli portugez tundi rrjetën dy herë gjatë takimit, ndërsa në të dy rastet goli erdhi nga pika e bardhë e 11 metërshit, fillimisht në minutën e 40 të ndeshjes e më pas në të 80-n. Në këtë mënyrë Ronaldo ka arritur që të shkojë në 50 gola të shënuar me fanellën bardhezi, në 70 ndeshje të luajtura me “zonjën e vjetër”. Ndërsa për këtë vit kalendarik, nuk ka dalë asnjëherë pa gol nga fusha e lojës dhe arrin në 10 gola në 6 ndeshje në vitin 2020, që nga mënyra si ka nisur duket të jetë viti i tij.

Por si për të mos mjaftuar me kaq, 5 herë fituesi i topit të Artë ka vendosur edhe dy rekorde të tjera në përballjen e sotme. Kështu sulmuesi portugez bëhet lojtari që ka tundur më tepër herë rrjetën kundërshtare në kampionatin italian që nga koha kur i është bashkuar Juventusit, me plot 40 të tilla., më shumë se çdo lojtar tjetër në Serie A. Ndërsa më e rëndësishë është fakti se me dy golat e sotëm, emri i Cristiano Ronaldos renditet i treti në listën e golashënuesëve më të mirë në historinë e futbollit, pas Pele dhe Romario./Sport Ekspres/

Renditja e golashënuesëve më të mire në histori:

  1. Pelé 767
  2. Romário 734
  3. Cristiano Ronaldo 722
  4. Gerd Mueller 720
  5. Puskas 706
  6. Messi 705

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *