Dy teknikët që bënë të mundur suksesin historik të Shqipërisë në atë kualifikim në Europian, ishin De Biazi dhe Paolo Tramezani. Por nëse timonieri kryesor nuk pati asnjë zhvillim të ri që nga ai largim nga Shqipëria, duke përjashtuar aventurën disa javore për t’u harruar te Alaveshi, të njëjtën gjë nuk mund ta themi për Tramezanin.
Ky i fundit do të merrte në Zvicër ekipe si Lugano dhe Sion, që gjendeshin në vendet e fundit të tabelës dhe diskutonin mbijetesën, por si përfundim do të ngjiteshin në Europë. Duartrokitjet u shtuan për trajnerin Tramezani pas suksesit të radhës që pati në Qipro, atje ku i dha kampionatin APOEL, megjithëse e mori disa pikë larg nga vendi i parë.
E të gjitha këto arritje të fituara në CV falë eksperiencave në Shqipëri, Zvicër dhe Qipro, shkatërrohen pasi pranoi stolin e Livornos. Tramezani është shkarkuar nga klubi italian pas humbjes së fundit me rezultatin 0-3 nga Askoli. Pas kësaj humbje ekipi në fjalë gjendet më pranë Serisë C, ndërsa Tramezani e mbyll aventurën e tij me vetëm 2 barazime dhe asnjë fitore në 7 takime. Statistikë që është më e keqja e mundshme, me 6 gola të shënuar dhe 15 të pësuar, megjithëse u pa si një shpëtim nga drejtuesit e Livornos. Mesa duket Tramezani nuk do ta provojë një tjetër detyrë në Itali, pasi në shtëpinë e tij duket se nuk i funksionojnë idetë, pavarësisht se dihej situata delikate e Livornos. /Sport Ekspres/