Një lajm i bujshëm erdhi dje nga Spanja dhe tërësisht i papritur, atje ku Rei Manaj është bashkuar me ekipin e parë të Barcelonës. Vetëm një ndeshje kishte zhvilluar sulmuesi shqiptar me ekipin B të katalanasve, por që mjaftoi për të fituar interesimin e skuadrës së drejtuar nga ana e Setien.
Ky i fundit dëshironte që ta shihte më nga afër lojtarin e Shqipërisë, duke i dhënë mundësinë që të stërvitej me Mesin dhe Griezman. Një ëndërr e madhe për vetë lojtarin, që nuk e priste që t’i jepej një shans i tillë brenda një kohe kaq të shkurtër.
Por është momenti që Manaj të zgjohet, pasi Barcelona e ka shpallur listën me 18 lojtarët që do të ketë në dizpozicion për ndeshjen e sotme kundër Leganesit. Atje mungon emri i futbollistit shqiptar, që e kanë dërguar sërish te Barcelona B. Gjithsesi ajo thirrje e djeshme shërben si një motivim për Manajn që ka vëmendjen e klubit dhe nëse do të lërë gjurmë tek ekipi i dytë, do të ketë shanset e tij për debutimin e madh. /Sport Ekspres/