Nga kampioni i Shqipërisë që e shpalli Skënder Gega, te një skuadër që po has shumë vështirësi dhe ka kritikat e mëdha të tifozëve, në këtë situatë është aktualisht Partizani. Skuadra e kuqe ka marrë 6 humbje dhe 1 fitore në ndeshjet e fundit, që nga koha kur është shkarkuar Lerda.
Dukshëm faji ndoshta nuk është vetëm i trajnerit, ose italianët luajnë gjithmonë të njëjtën muzikë në stolin e Partizanit. Për të dalë në një përfundim për Sormanin është ende herët, por në 4 ndeshjet e para të tij në këtë rikthim, përfshirë këtu edhe miqësore, janë marrë po aq humbje.
Ambienti sportiv në kryeqytet nuk ka durim për të pritur kaq gjatë aqsa të rikthehet ekipi aty ku i takon. Një problem serioz është edhe shënimi i golave, teksa vetëm 3 të tillë janë realizuar dhe 11 janë pësuar në 7 ndeshjet e fundit. Këtu duhet ta theksojmë se jemi duke folur për ekipin kampion. Që nga koha e Gegës ka pasur shumë ndryshime edhe brenda harmonisë së grupit, e ardhur kjo edhe nga problemet që sillte Lerda.
Jasir Asani nuk është më pjesë e skuadrës pasi ka nisur aventurën te AIK, ndërsa Esat Mala mbahet ende te ekipi i dytë për t’i dhënë “mësime”, ndërkohë që Partizani po i merr ato. Tifozët presin që diçka të ndryshojë dhe kalendari i favorizon disi me përballjet ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit, por presioni në këto kohë bie i gjithi mbi lojtarët, duke ndikuar shumë edhe në rezultate. /Sport Ekspres/