Ndarja e çmimeve për arbitrat, Duka ua thotë hapur: Po favorizuat do ngeleni në rrugë

 

U zhvillua ditën e sotme ceremonia e ndarjes së Çmimeve për Arbitrin dhe Arbitren më të mirë për vitin 2019, si dhe dorëzimi i stemave të FIFA-s për vitin 2020 për femra dhe meshkuj. Risia e këtij viti është fakti se tashmë Shqipëria ka një treshe arbitresh femra, me Emanuela Rustën si kryesore, dhe Erinda Kumen e Koleta Prengën si asistente.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata e Arbitrave dhe Komiteti i Arbitrimit, ishte i pranishëm Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Sekretari Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci dhe lektori i FIFA-s, Alen Snody.

Presidenti Duka në fjalën e tij shprehu vlerësimet për punën e arbitrave gjatë vitit 2019, si dhe këshilloi ata për një punë akoma edhe më të madhe në vitin e ri që sapo ka nisur, për të qënë një skuadër e cila do të ndihmojë në rritjen e futbollit shqiptar. “Ju falenderoj të gjithëve për kontributin e dhënë në vitin 2019, një kontribut shumë i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Siç është zhvilluar futbolli dhe arbitrimi ka bërë hapa pozitiv përpara. Ajo që ne i kemi kërkuar Shoqatës dhe Komitetit është që të organizohemi dhe të kemi më shumë arbitra, aktivizimi sa më korrekt, vëzhgimi i tyre, për tu kthyer në një skuadër të madhe. Kolegjiumet mund të ndihmojnë arbitrat e rinj për të performuar më mirë. Ajo që kemi diskutuar në takimin e fundit që patëm me shoqatën ishte që ne bëjmë shumë pak për të ndihmuar një talent, për një talent futbollist bëjmë dicka, për të ndihmuar një arbitër të talentuar bëjmë pak. Kjo është një fushë që ka talentet e vet, ne duhet të bëjmë punën tonë për ti ndihmuar, asistuar dhe për tu bërë më të mirë. Numri i arbitrave që kemi për aq futbollistë sa kemi, dhe për objektivat që kemi për të rritur numrin e futbollistëve, është i vogël. Këto duhet të jenë objektivat tonë për të ardhmen, duke synuar të shtojmë numrin e arbitrave si dhe rritjen e kualitetit të tyre. Të mos të na rrëmbejë rutina e pakënaqësisë për një vendimarrje të gabuar të momentit dhe të harrojmë objektivin e vërtetë të punës tonë. E rëndësishme është që arbitri të bëj atë që mendon dhe di, për aq sa ke mësuar dhe je përgatitur, duke e mbrojtur si vendimin tënd sepse faktikisht është një vendim arbitrar dhe të jesh i bindur që të mos cënosh rezultatin e askujt, duke mos menduar jashtë loje. Më besoni që kam goxha eksperiencë në futboll, edhe se vetë nuk kam luajtur futboll. I vetmi aleat që mund të keni gjatë të gjithë karrierës tuaj është vetë loja. Të gjithë aleatët e tjerë do t’ju lejnë. Nëse e keni pasion këtë profesion, nëse e doni këtë profesion aleat keni lojën. Nëse mendoni se duhet ta mbaj mirë me dikë, ti shërbej këtij apo atij, apo të bëni ndonjë favor ekonomik, do ngeleni në rrugë. Shifeni me eksperiencën dhe tuaj dhe do të vërtetoni këtë që them unë. Ai që ka qënë korrekt me veten e vet dhe lojën ka bërë një karrierë të mirë, ka bërë një karrierë të gjatë dhe i lumtur me veten. Vazhdoni me këtë mendim. Në një vend me shumë probleme si Shqipëria nuk është e lehtë të japësh drejtësi, por gjithsesi kur njerzit binden që ti ke dhënë drejtësi ti ke fituar imunitet përballë të gjithë atyre fenomeve negative që rrethojnë shoqërinë shqiptare. Po të kemi aleat dhe partner lojën dhe drejtësinë besoj se do të jeni shumë më mirë”, u shpreh Duka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *