Gatuzo ka marrë vendin e Ançelotit si trajneri i Napolit. Prej disa ndeshjesh është në drejtimin e kësaj skuadre që po vuan aktualisht në kampionatin italian. Në ndeshjen ndaj Peruxhias dhe pas saj, Gatuzo e ka treguar se është një zotëri i vërtetë.
Fillimisht duke shkuar për të hequr Hysajn në fundin e pjesës së parë, pasi mbrojtësi shqiptar po protestonte ndaj arbitrit për një penallti të dyshimtë që ka dhënë. Gjithashtu në media është përfolur në ditët e fundit se Gatuzo ka zhvlerësuar punën e Ançelotit, paraardhësit të tij, por kjo nuk duket të jetë e vërtetë.
“Në këto ditë kam dëgjuar shumë polemika për Ançelotin. Për mua Ançeloti është babai im i futbollit. Ne kemi ndryshuar mënyrën e lojës, metodikën e punës. Lexova në gazetë dhe portale se kisha mohuar punën që ka bërë Ançeloti dhe se gjithçka ka ndodhur më herët ishte për fajin e tij. Nuk kam ofenduar askënd, kemi ndryshuar vetëm mënyrën e punës. Kjo është ajo që më dallon nga Karlo. Tani jam gati të përgjigjem me “po” ose “jo” të gjitha pyetjeve tuaja deri në fund të vitit”, ka thënë Gatuzo. /Sport Ekspres/