Një situatë aspak normale është te KOKSH-i (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar), sa i përket ekzistencës dhe veprimeve nga ky institucion që duhet t’i shërbejë sportit shqiptar. Bëhet fjalë për një përplasje ndërmjet presidentit të saj Viron Bezhani dhe sekretarit Stavri Bello, me situatën që jo vetëm është përshkallëzuar, por nuk po gjen qetësi.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar me Bezhanin, për të kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur në KOKSH. Atje na thuhet qartësisht se sekretari Stavri Bello dhe disa anëtarë të Komitetit, janë duke bërë veprime kundër rregullave dhe në emër të presidentit Bezhani, vetëm për të pasur përfitimet e tyre personale. Sigurisht që kjo mbetet shumë e rëndë, por Bezhani e sqaron versionin e tij me detaje:
“Sigurisht që situata nuk është aspak normale. Këtu ka pasur shkelje nga sekretari dhe disa anëtarë të komitetit. Ka pasur shkelje staturore në shumë raste të vazhdueshme dhe po vazhdojnë të ngulin këmbë për të vepruar po njësoj. E gjithë situata ka lindur nga një mirëbesim që kam pasur unë dhe kujtoja që gjithçka ka qenë duke ecur normalisht. Por jo, nuk rezultoi kështu. Sekretari Stavri Bello vazhdon të sillet në të njëjtën mënyrë dhe të ndërmarrë vendime që unë nuk kam pasur si dijeni si presidenti i KOKSH-it. Sigurisht që nuk e ka këtë tagër dhe kjo është qesharake. I kam thirrur edhe në një mbledhje për të zgjidhur situatën, por nuk kanë ardhur.
Ka dy vite që kjo situatë po vazhdon pezull. Nga 9 komisione vetëm ai teknik ka punuar një vit, të tjerët fare. Qartësisht rezulton se sekretariati, nuk ka kryer asnjë nga detyrat e tij dhe ka neglizhuar punën e Komisioneve. Duhet të ndaj dhe një shqetësim që lidhet me uzurpimin e KOKSH dhe situatën e brendshme që vijnë nga sekretari i përgjithshëm. Prej kohësh nuk është duke raportuar më, fsheh çdo dokument duke tentuar fshehjen e veprimtarisë së KOKSH, madje duke thënë në mbledhjet e komitetit se mund të bënte se çfarë të dëshironte. E ka kthyer në bunker. Është thyer etika në disa mbledhje të komitetit duke më ofenduar edhe mua, duke i rënë tavolinës me grusht, për të përdorur fjalor banal që shkel rëndë kodin e etikës. Ky lloj fjalori që është i patolerueshëm. Ne kemi edhe një pikë që shkruan:
- Të gjitha vendimet që kërkojnë mbështetje dhe mjete financjare nga KOKSH nxirren dhe miratohen nga Komiteti Ekzekutiv duke marrë çdo vendim 2/3 e votave të anëtarëve present.
Në kundërshtim të saj, sekretari nënshkruan dokumenta në emër të KOKSH brenda qëllimit të planit financjar nga KOKSH, që mbulojnë përmbushjen e veprimeve të përditshme administrative të zyrave deri në 5.000 euro. Madje ka pasur raste kur Z.Bello ka shkelur detyrimet e nënpunësit duke shkuar jashtë shtetit për çështje që nuk kanë pasur lidhje fare me KOKSH, për të shkëlur statutin si një punëtor me kohë të plotë dhe jo part-time. Përshembull në 2017 ka dalë 30 herë dhe mendohet që të ketë mbi 100 ditë punë të pakryera. Gjithashtu kemi edhe pjesën ekonomike. Për honoraret janë shpenzuar 3.469.736 lekë.
Për te kuptuar sec kishte ndodhur me fondet e KOKSH kam kërkuar informacion të detajuar në lidhje me përfituesit e honorareve , informacion i cili nuk më është venë asnjehere në dispozicion.
Për sa më sipër një fakt tjeter i papranueshëm është se për bursa dhe shpërblime për sportistët elitar është harxhuar fondi 6.480.118 lekë fond. Ky eshte me i vogël se pagat honoraret dhe shperblimet qe merr administrata. Bursat jepen me aplikim nga ne por është shumë i rendë fakti që po aq sa jep Solidariteti Olimpik per sportistët, akoma me shume fonde shpenzohen për punonjësit për punë të pakryer. Sa herë është kërkuar nga sportistët t’u jepet shperblime apo dieta kur përfaqesojnë Shqipërine na është referuar legjislacioni Shqiptar në fuqi si pengese kryesore . Ndërkohë legjislacioni shqiptar nuk është pengese për honorare, shpërblime për punonjësit KOKSh”, veçon mes të tjerash Bezhani. /Sport Ekspres/