LAJMI I MBRËMJES/ Shqipëria dhe Kosovë paraqesin në UEFA një Kupë të përbashkët, fituesi shkon në Europë

Të gjithë e ëndërrojnë bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës nëpërmjet sportit të futbollit. Mesa duket nuk do të jetë vetëm një ëndërr, pasi po punohet për t’u bërë realitet. Të paktën vullneti ekziston dhe dy presidentët e Federatave respektive të Futbollit, Armand Duka dhe Agim Ademi, kanë projektuar një Kupë të përbashkët. Madje jo vetëm kaq, por projekti i është paraqitur UEFA-s.

Këtë e ka pohuar vetë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në një intervistë për gazetën “Zëri”. Kupa do të quhet “Nëna Terezë”, ndërsa do të krijohet një fond nga qeveritë dhe Federatat, ndërsa gjithashtu është kërkuar që fituesi të shkojë edhe në Europë.

“Kjo kupë do të jetë masive dhe do të zhvillohet gjatë tërë vitit. Mund të luhen ndeshjet në mesjavë të mërkurën ose të enjten kur nuk ka ndeshje kampionale.

Projekti do të jetë i përbashkët edhe me qeveritë tona. Do të krijohet një fond i posaçëm nga të dyja qeveritë dhe nga federatat. Krahas shpërblimit që do ta marrë fituesi nga federatat, do ta ketë edhe një shpërblim shtesë nga qeveritë. Kjo kupë do të njihet si kupa ‘Nëna Terezë.

Ne e kemi dorëzuar në UEFA projektin dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Vitin tjetër do të mbajmë mbledhje për këtë çështje dhe do ta diskutojmë. Kjo çështje i takon më shumë presidentit Armand Duka, që është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA. Në kuadër të kësaj i takon atij me kompetencë ta përcjellë këtë çështje. Duka është edhe përgjegjës i federatave të regjioneve si Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Kemi kërkuar nga UEFA që fituesi i kësaj kupe të jetë i pranuar në garat e fituesve të kupave, që janë jashtë kupës së shtetit. Spanja, bie fjala, e ka Kupën e Mbretit dhe ky eveniment njihet nga UEFA.

Fituesi i Kupës së Mbretit shkon në UEFA dhe ne e synojmë një gjë të tillë. Krahas kampionit të Kosovës, vendit të dytë dhe fituesit të kupës së shtetit, nga Kosova ose nga Shqipëria, do të jetë një skuadër tjetër skuadër pjesëmarrëse në Evropë që shkon nga kjo kupë”, tha Ademi. /Sport Ekspres/