Skema e Ranierit për të ndalur Juventusin, 4-4-2 i tij rezulton një dhuratë për bardhezinjtë

Juventusi luajti dy ditë më parë në transfertën me Sampdorian, të cilën e fitoi me shifrat 2-1 me anë të dy realizimeve fantastike nga Dybala dhe Ronaldo. Por, Ranieri kishte zgjedhur një taktikë të tijën për të ndalur bardhezinjtë, megjithëse nuk ia doli dot.

Ekipi i Sampdorias shihej të formonte një 4-4-2 shumë të tërhequr dhe të mbledhur në kohën kur duhej të mbrohej. Dy sulmuesët ishin në gjysmëfushën e tyre dhe qëllimi i kësaj ishte që të pengonin Pjaniç. Gjithashtu, pozicionimi shumë afër njëri – tjetrit, kishte si synim që Juventusi të mos gjente hapësirat e duhura në qendër dhe të zhvillonte lojën e tij në krahë. Kjo taktikë u pa shpesh gjatë pjesës së parë të ndeshjes, ndërsa shënimi i dy golave nga “zonja e vjetër” ndoshta ka bërë që Ranieri ta rishikojë edhe një herë këtë skemë.

Ndërkohë, tentativa për të spostuar lojën e Juventusit nga krahët nuk ka rezultuar ashtu siç pritej për Sampdorian, pasi të dy golat e bardhezinjve erdhën prej andej. Një harkim i Alex Sandro do të ishte ai që do të sillte për pas golat e Dybala dhe të Ronaldos./Sport Ekspres/