Lojtarët e Espanyol-it mbeten të habitur, arbitri i fal kartonin e kuq talentit të Real Madridit

Reali i Madridit ia ka dalë të marrë 3 pikët në “Santiago Bernabeu”, duke mundur me rezultatin 2-0 ekipin e Espanyol-it. Galaktikët kanë gjetur golin e parë në minutën e 37 me anë të Varane, ndërsa në të 79-n kanë dyfishuar shifrat me anë të Benzemasë.

Por kjo ndeshje nuk i ka shpëtuar polemikave, teksa kryesori i takimit ka falur sulmuesin Vinicius nga kartoni i dytë i verdhë, që do të sillte edhe largimin e tij nga fusha. Ky episod ka ndodhur në minutën e 40 të takimit, ku Vinuicius ka bërë një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit David Lopez. Por gjyqtari Latre nuk ka nxjerrë karton nga xhepi i tij dhe kjo gjë i ka lënë të habitur lojtarët e Espanyol-it, të cilët nuk u besojnë syve. Ndërkohë kujtojmë se Vinicius ishte i ndëshkuar më parë me një të verdhë në minutën e 17 dhe një ndëshkim i dytë do të ishte fatal për të. Ndoshta dalja e tij nga loja mund të sillte edhe një rrjedhë krejt tjetër të ndeshjes, duke qenë se Realit iu desh shumë për të gjetur golin e sigurisë.

Megjithatë, gjyqtari i takimit nuk mund të tregohej zemërgjerë për të gjithë, teksa në minutën e 83 e lë Realin me 10 lojtarë, pasi i ka treguar për të dytën herë kartonin e verdhë mbrojtësit Mendy. Por në këtë moment ishte gjithçka e kotë, pasi rezultati i kësaj sfide ishte vendosur tashmë./Sport Ekspres/