Provokim apo modesti? Nuk e ndajnë dot, fjalët e Mesit dhe krahasimi që bën me Ronaldon

Menjëherë pasi arriti të fitonte Topin e Artë për herë të gjashtë në karrierën e tij, Lionel Mesi ka folur edhe për “rivalin e përjetshëm”. Bëhet fjalë për Kristiano Ronaldon, pikërisht këta dy futbollistë që kanë luajtur prej vitesh në nivelet më të lartë.

Por kur “L’Equipe” i kërkon një krahasim yllit argjentinas, fjalët e thëna janë një dyzim mes provokimit dhe modestisë. “Nuk mund të them se kush është më i miri mes meje dhe Ronaldos. Ne kemi dy role të ndryshme. Ai është një bomber dhe unë ndërtoj lojën”, ka thënë Mesi.

Megjithatë nëse shohim statistikat, sidomos të këtij sezoni, Mesi ka arritur të shënojë në çdo ndeshje, duke marrë kështu edhe konotacionin e një provokimi kundrejt Ronaldos. Gjithsesi, arritjet e mëdha në karrierë flasin shumë për argjentinasin, prandaj edhe një modesti në fjalë, nuk mund të përjashtohet. /Sport Ekspres/