Ekskluzive/ Largimi nga Liria, rrëfimi i Nikajt: Jonuz është trajneri “jabanxhi” më i mirë në Shkodër

Samuel Nikaj nuk e lë veten asnjëherë që të bëhet “i keqi” i të tjerëve, ndërsa në karrierën e tij si trajner gjithmonë zgjedh të largohet kur e sheh se gjërat nuk shkojnë mirë në klub. I njohur ndryshe edhe si specialisti i ekipeve që gjenden në Kategorinë e Parë dhe kalojnë në elitën e futbollit, dorëhiqet në mënyrë paksa surprizuese nga Liria e Prizrenit.

Megjithëse vetëm një pikë larg kryesimit, Nikaj është larguar duke e parë si vendimin më të mirë pasi ekipi nuk ka grumbulluar pikët e menduara më herët. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me këtë trajner, që tashmë është kthyer në shtëpi dhe ka mbërritur në Shkodër. Një vlerësim të madh ka pasur edhe për trajnerin e Vllaznisë, Mirsad Jonuz.

“Unë jam larguar nga Liria pasi gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç unë doja. Duhet të kishim më tepër pikë të grumbulluara, por nuk u arritën dhe e lë ekipin me një pikë larg kryesimit. Jam ndarë mirë me stafin dhe klubin, duke marrë gjithë përgjegjësinë mbi vete. Shpresoj që gjërat t’u shkojnë sa më mirë të jetë e mundur. Rikthimi im si trajner? Kështu e ka kjo punë, e lë të hapur si në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk mund të bëjë ndarje, shanse janë 50% me 50%.

Mund të qendrojë 2 muaj duke pritur ose 1 vit. Nuk ka problem nëse ekipi që më kërkon është në elitë, Kategori të Parë apo Kategori të Dytë. Nuk e kam këtë kompleks, mjafton të jetë një projekt bindës. Sa i përket Vllaznisë, dua të jap të gjitha vlerësimet e mia për trajnerin Jonuz. Nuk e kam takuar ende personalisht, por nga ajo që kam parë dhe jam informuar, është trajneri “jabanxhi” më i mirë që ka ardhur në Shkodër. Një njeri i drejtë dhe “burrë” me fjalët e tij, duke dalë gjithmonë me sinqeritet dhe duke shpjeguar situatat e klubit. Sigurisht që për skemat gjithmonë ka interpretime të ndryshme, por unë kam vlerësim të madh për këtë trajner”, ka thënë Nikaj. /Sport Ekspres/