Inagurimi i “Air Albania” është ngjarja më e madhe e futbollit shqiptar. Padyshim që ai stadium i ri dhe që bëri jehonën në gjithë mediat e Europës, ishte një dëshmi e qartë për një rritje të këtij sektori, por njëkohësisht edhe një shpresë për të ardhmen.
I ftuar në “RTSH Java” është edhe presidenti Armand Duka. Në një rrëfim të hapur dhe pa lënë shumë për interpretim, ka treguar hapur investimin e bërë në këtë stadium, por edhe për derbin e kryqytetit që mund të luhet në këtë arenë.
“1001 probleme ka çdo vepër, ndërsa kjo që është vepër e madhe, mund të ketë edhe më tepër. Por duhet të themi se është ndërtimi më i madh në Shqipëri. Çdo njeri që ka hyrë në stadium atë mbrëmje nuk kanë menduar se është në Shqipëri. Kam menduar në momente emocionale dhe zhgënjyese të Shqipërisë, objektivi të paarritur për largimin tim. Por kanë qenë më shumë emocionale sesa produkt i një objektivave të paarritur. Duke parë pamundësinë për të luajtur ndeshje të nivelit të lartë në stadiumin që ishte në Tiranë, kemi iniciuar dhe kemi bërë shumë tentative që ishin të dështuara. Projekti dhe buxheti i shtetit ka kontribuar 0, madje bashkia e Tiranës ka fituar edhe 3 milionë euro.
FSHF ka investuar 10 milionë euro dhe TVSH-në, që duhet të na e kthejnë këtë të fundit. Ndërkohë investitori privat nga ana tjetër ka bërë pjesën tjetër, ku ka kërkuar edhe ambientet tregtare dhe kullën. Pra më mirë nuk mund të bëhej në këtë kushte, kur shteti nuk hedh asnjë lekë. Unë prisja që ato media që vunë në dyshim ndeshjen me Francën dhe thanë se nuk do të luhej në “Air Albania” të kërkonin falje për keqinformim, por nuk e kanë bërë akoma. Kemi përjetësuar edhe 4 emra në stadium, që janë njerëz që i kanë dhënë futbollit, apo edhe një personazh lufte që ka sërish lidhje me futbollin. Derbi i Shqipërisë mund të zhvillohet në “Air Albania”, nëse fusha do të jetë plotësisht gati”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/