Albert Bunjaku do të nisë punën e tij të re si një instructor teknik të UEFA-s në muajin dhjetor, ndërsa konfirmimin për të qënë pjesë e këtij projekti e mori disa kohë më parë. Një hap i madh në karrierë ky, që do i ofrojë ish-trajnerit të Kosovës edhe mundësinë për të bashkëpunuar me një nga trajnerët më të njohur në botë. Bëhet fjalë për francezin Arsene Venger, që pasi u largua pas një kohe të gjatë nga topçinjtë e Arsenalit, tashmë do të jetë shef i Zhvillimit Global të Futbollit. Bunjaku ka folur mbi këtë eksperiencë të re që do të nisë në jetën e tij, si dhe është ndalur edhe te Venger në veçanti.
“Roli im ka të bëjë me zhvillimin e futbollit modern. Do të vëzhgojmë kampionate të ndryshme dhe në fund do të nxjerrim analiza profesionale. Këto të fundit do të jenë të vlefshme për zhvillimin e futbollit në nivele të larta. Është një rol i rëndësishëm për mua, sa i përket zhvillimit profesional, pasi nëpërmjet tij do të jetë e mundur të krijoj kontakte të reja me nivele të larta botërore, si dhe vijimin e kësaj përvoje edhe në futbollin kosovar.
Shefi im do të jetë Venger dhe ky patjetër që është në privilegj i madh për mua të bashkëpunoj me një personalitet të tillë. Ai është padyshim një nga trajnerët më të mirë në lidhje me zhvillimin e lojtarëve”, ka thënë Albert Bunjaku./Sport Ekspres/