Dinamo ka kaluar në duart e presidentit italian, Marco Pontrrelit. Këtë e ka bërë zyrtare dhe të ditur kohë më parë vetë klubi kryeqytetas, sa i përket Pontrrelit që ka qenë edhe presidenti i klubit të Triestinës.
Por gjendja në të cilën merret Dinamo nuk është aspak e mirë. Pavarësisht objektivave të fillim sezonit për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, kjo skuadër renditet në vendin e fundit të Kategorisë së Parë.
Madje me shumë rrezik edhe për të rënë nga kjo kategori. Por si do të shpëtojë Dinamo? Presidenca e re e ka një plan për merkaton e janarit. Sipas asaj që raporton “Report TV”, italianët kanë një studio që merret me menaxhimin e lojtarëve dhe pritet që në janar të vijnë shumë elemente nga Senegali. Por gjithashtu priten edhe futbollistë nga Italia, që mund të kontribojnë sadopak për ta shpëtuar ekipin nga kjo gjendje e vështirë. /Sport Ekspres/