Ali Sowe ka qenë një tjetër futbollist me potencial të madh dhe që ka luajtur në futbollin shqiptar me Skënderbeun. Sulmuesi 25-vjeçar ka arritur të shënojë 7 gola deri tani në Bullgari me CSKA-n e Sofjes, duke mbajtur mbi shpinë skuadrën, por njëkohësisht duke luftuar edhe për të shënuar më tepër gola se të gjithë të tjerët në kampionatin e Bullgarisë.
Në intervistën e fundit të dhënë për mediat vendase, Sowe shpjegon edhe transformimin që merr në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa deri në mbërritjen e janarit është më i qetë për kundërshtarët në fushë.
“Kur luaja në Itali me huazim, shpesh kisha 5-6 gola gjatë gjithë vitit. Në dy vitet e fundit dhe në fillim të dimrit, kam gjithmonë 6 gola. Nuk e di se pse ndodh kjo gjë, por kështu ka funksionuar. Në pjesën e parë të sezonit unë jam më modest. Pastaj forca zgjohet tek mua dhe nis të bëhem i rrezikshëm dhe produktiv. Në Shqipëri shënova 27 gola në një sezon, në vitin e kaluar shënova 17 gola. Tani si qëllim kam të shënoj më tepër se 17 gola”, ka thënë Sowe. /Sport Ekspres/